Lubonja: Rama po i bën shantazh Europës duke përdorur Erdoganin

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në ‘News24’ ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama për lidhjet e tij me presidentin Erdogan dhe Turqinë. Lubonja theksoi se kreu i qeverisë po i bën shantazh Europës në një kohë kur pritet hapja e negociatave për Shqipërinë në BE.
“Intervista ka trajtuar çështje që i ka trajtuar me shqiptarët, këtu duket sikur ka bërë një politikë për ti bërë qejfin Erdoganit. Një teori konspiracioni mund të jenë lidhur me faktin se ne aspirojmë Evropën, sikurse dhe Erdogani ka aspiruar Evropën. Ne tani duam të hapim negociata dhe për shkaqet tona jo të Evropës nuk na hapet kjo portë si dhe Turqia, sepse kishte ide të kundërta për hyrjen e saj, ekonomikisht mund të hynte por kishte probleme për të drejtat e njeriut, të fesë myslimane.
Tani problemi i bëhet një shantazh Evropës që ‘shiko se ne po kthemi këtej’, Rama tregon që është i gatshëm të përdorë të gjitha ujërat. Ajo që më shqetëson, duket sikur fatet e marrëdhënieve tona, me Turqinë apo një vend tjetër mund të vendosen nga miqësitë apo jo miqësitë e dy liderëve kryesore. Ne kemi Parlament, opozite, kemi institucione, dhe kjo PO qe thotë ky tingëllon si autoritare, pse duhet dialogu atëherë, diplomacia?! Ju e patë Trumpin? Një here tha do takohemi, pastaj jo, pra tha po dhe jo.

Dialogu gjen rrugët e mesme. Është më mirë që të bëhet paqe se sa luftë. Këtë Po ose Jo e shfaq kudo ky. Është mendësi autoritare. Nuk mjafton vetëm ndihma e Erdoganit për ndërtime aeroportesh, nuk mjafton vetëm kaq. Duhen vendosur edhe sanksione. Turqia ka probleme. Ky është një problem që nuk e vendos dot vetëm Rama, ka parlament, ka institucione. Rama i ka bërë furça Erdoganit”, pohoi Lubonja.
Dje në një intervistë për Anadolu Agency kryeministri Rama tha se Erdoganin e kishte admiruar prej së largu kush ishte kryetar i Bashkisë së Stambollit.
“Marrëdhënia ime me presidentin (Erdoğan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën. Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo’””, tha Rama.