Hector Cuper sqaron: Ja përse Salah nuk luajti ndaj Uruguait

Egjipti e nisi me humbje aventurën e tij në Botërorin e “Rusi 2018”, pasi u mund 1-0 nga Uruguai, me një gol të pësuar në minutën e 89-të, atëherë kur mendohej se sfida po mbyllej me një barazim pa gola. Por përveç humbjes, ajo që ra në sy ishte mungesa në fushë e një prej lojtarëve më të mirë në botë, sulmuesit egjiptian Mohamed Salah. Trajneri i ekipit afrikan, Hector Cuper, në lidhje me mosaktivizimin e lojtarit të Liverpool, tha: “Salah nuk luajti, pasi nuk dëshironim ndonjë dëmtim tjetër, ndonjë surprizë të hidhur në fushë”.
Më tej, trajneri tha: “Unë mendoj se ai do të ketë edhe 3-4 ditë kohë për të rikuperuar 100% dhe do të jetë gati për ndeshjen tjetër. Sakrifikuam për ta patur në dispozicion në takimin e radhës. Deri dje mendonim se do të ishte në fushë. Por kur Mohamed bëri një analizë të fundit të gjendjes fizike, dolën disa dyshime dhe situata u përmbys. Patëm frikë se mos dëmtohej sërish, ndaj nuk donim të rrezikonim. Ne kemi nevojë për të”, tha Cuper.
“Salah do të jetë në fushë në dy ndeshjet e radhës, ndaj Aradisë Saudite dhe Rurisë, pasi ai është një lojtar i rëndësishëm për ne, kjo nuk mohohet. Por, njëkohësisht, kemi nevojë edhe për një skuadër të shëndetshme dhe të fortë. Ndoshta Mohamed edhe mund të luante, por do të ishte e rrezikshme për të dhe skuadrën. Kjo është një enigmë që nuk do ta mësojmë kurrë”, tha Hector Cuper.