Kronikë nga qyteti im ‘politikisht korrekt’!

Nga Gent STRAZIMIRI

Prej disa ditësh, në qendër të Tiranës, në të njëjtin shesh, po zhvillohen ngjitur njëra-tjetrës 2 protesta të përditshme!
Bash ngjitur!
Tek Ministria e Brendshme, mblidhen çdo pasdite në orën 18.00, të rinjtë e angazhuar në politikë në krah të opozitës. Ata po përballen me Edi Ramën, shkatërruesin e shtetit ligjor të së drejtës, dhe ndërtuesit të sistemit korruptiv e kriminal të drogës!
Ngjitur me ta por një orë më vonë, në orën 19.00 të çdo pasditeje, mblidhen një grusht artistësh të cilët po përballen me Edi Ramën, shkatërruesin e vlerave artistiko-kulturore të Shqipërisë në favor të lavatriçes së parave të ndyra të sistemit korruptiv e kriminal të drogës!!!
Artistët nuk vijnë në protestën e tyre 1 orë para orës 19.00.
Jo! Artistët nuk janë “të angazhuar politikisht”…
Ata nuk kanë arsye të bashkohen me të rinjtë e angazhuar politikisht pavarësisht se janë ngritur kundër të njëjtit individ e të njëjtës së keqe…
Edi Rama në cilësinë e shefit, promovuesit, mbrojtësit të Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt dhe trafikut qeveritar të drogës, nuk është çështja e tyre!
Ata luftojnë vetëm për Teatrin! Nuk është puna e tyre fakti që po “Ai” që po shkatërron brutalisht, paligjshmërisht Teatrin për të përfituar nga paratë e ndyra të drogës dhe krimit, po shkatërron brutalisht, çdo vijë demarkacioni që ndante shtetin nga krimi dhe përfitimi nga paratë e ndyra të drogës! Kjo është çështje e politikës!
Nëse Ai vendos që paratë e ndyra të krimit e të drogës, t’i “investojë” kudo tjetër përveçse mbi Teatrin, çështja e artistëve quhet e zgjidhur…

Ata nuk përzihen në çështje që nuk u takojnë… veçanërisht në politikë!
Nëse Robert Ndrenika del të pijë një kafe në çdo cep të Shqipërisë (jo vetëm të Tiranës), janë të pafundmë, mbase deri në bezdi qytetarët që e admirojnë dhe duan një foto kujtim me të. Nëse Robert Ndrenikës i postojnë në rrjetet sociale një fjalim shpirti për çështjen e Teatrit, ajo bëhet menjëherë virale! Thyen çdo rekord ndjekësish!
Por Robert Ndrenika është çdo pasdite, në orën 19.00, fiks një orë pas të rinjve të angazhuar në politikë, tek sheshi midis Ministrisë së Brendshme dhe Teatrit! Asnjë qytetar nga ata që s’e lenë të pijë rehat atë kafe’ për shkak të admirimit që kanë për të, nuk është aty me të!
Ata adhurojnë Robert Ndrenikën por me Teatrin nuk kanë punë! Teatri nuk është çështja e tyre sepse nuk janë artistë… Në fund të fundit, paratë e ndyra të krimit dhe të drogës nuk po investohen as mbi shtëpinë e tyre!!!
Në orën 11.00 përpara Kryeministrisë, mblidhen po ashtu thuajse çdo ditë kundër Edi Ramës minatorët ose naftëtarët…! Edhe ata kërkojnë çlirimin e industrisë minerare nga paratë e ndyra të krimit e të drogës, që brutalisht po i vrasin çdo ditë nëpër galeri!
Nëse gjatë protestës së tyre do qëllonte që Robert Ndrenika të kalonte aty pranë, rrugës duke vajtur për të përgatitur protestën e orës 19.00 në kafenenë pranë Teatrit, ato sekonda protesta e tyre do ndërpritej!
I madhi Robert Ndrenika e meriton një sekondë respekt, një përshëndetje me kokë, një buzëqeshje admirimi!
Por minatorët nuk shkojnë në orën 19.00 tek protesta për Teatrin! Ata nuk janë artistë… ashtu sikurse i madhi Robert Ndrenika nuk ndalon tek ata megjithatë respektin për hallin e tyre. Robert Ndrenika nuk është minator…

Nëse Edi Rama nuk do miratonte ligje e urdhëresa që favorizojnë paratë e ndyra, të krimit e të drogës të investuara në industrinë minerare, dhe ato do të rishpërndaheshin pak më mirë, fare pak më mirë, minatorët do e kishin zgjidhur çështjen e tyre…
Në qytetin tim, sheshi i protestave, ai midis Ministrisë së Brendshme dhe Teatrit, kufizohet me godinën e Bashkisë.
Para saj mblidhen vazhdimisht dyqanxhinjtë e biznesit të vogël, ata që mbajnë në këmbë ekonominë e këtij vendi. Ata mblidhen për të protestuar për taksat e paarsyeshme e të pashkak që vendos Edi Rama dhe Griseldi i tij në Bashki, duke krijuar lehtësira vetëm për “çunat” që hapin “‘biznes” me paren e krimit dhe të drogës, pa u shqetësuar për taksat apo për xhiron që nuk bëjnë…
“Çunat” pare kanë me shumicë; nuk jetojnë me biznesin dhe xhiron e tij. “Çunat” faturojnë kot xhiro e fitim në kasë dhe paguajnë taksa, sado të larta qofshin, që të pastrojnë paret që kane fituar nga krimi e droga me liçencën që u ka dhënë Ai.
Robert Ndreniika nuk shkon para Bashkisë kur kafexhiu, bukëpjekësi, perime-shitësi i lagjes del për të protestuar. Robert Ndrenika nuk është një prej tyre; Pas një jete të kaluar me nder dhe dinjitet si rrallëkush, Bashkia nuk ka ç’i merr me taksa të padrejta, të paarsyeshme, të pashkak.
Atje para Bashkisë shkon edhe pronari i Bar-Kafes ku Robert Ndrenika pi kafenë e tij të zakonshme para apo pas protestës për Teatrin, e ku me durim vihet në dispozicion të cilitdo qytetari, minator ose jo, dyqanxhi ose jo, i ri ose jo, i “angazhuar politikisht” ose jo, për të bërë foton e radhës mes emocionit dhe admirimit për madhështinë e tij.

Kafexhiu i mirë e pyet, sinqerisht, gjithë respekt dhe keqardhje “hë, ishin ndopak njerëz atje tek ju sot…”? Por kafexhiu vetë nuk shkon, megjithëse e di që Robert Ndrenika betejën për Teatrin nuk e lufton për veten e tij e nuk fiton asgjë materiale prej saj! Robert Ndrenika lufton për Teatrin sepse është artist që ka shkrirë jetën atje, dhe nuk mund të lejojë që paraja e krimit dhe e drogës ta zhbëjë sikur të mos kishte ekzistuar kurrë!
E kafexhiu nuk është artist, Teatri nuk është problemi i tij!
Ai nuk shkon në orën 19.00 bashkë me Robert Ndrenikën tek sheshi përballë Teatrit e që kufizohet nga Bashkia dhe Ministria e Brendshme! Ai nuk e ka shkrirë jetën në Teatër e për Teatrin që sot po e përbuz paraja e krimit dhe e drogës, por tek ai dyqani i vogël i lagjes që i dha bukën për fëmijët e që sot paraja e krimit dhe e drogës, që nuk ka ekonomi djerse që e konkurron, kërkon t’ia zhdukë sikur të mos kishte ekzistuar kurrë…
Ai nuk shkon as tek të rinjtë e angazhuar politikisht në orën 18.00 para Ministrisë së Brendshme, për të protestuar kundër pushtetit të parave të krimit e të drogës që po i mbyllin biznesin me konkurrencë të pandershme e të pabarabartë.
Jo! Ai nuk ka arsye të bashkohet me ta, sepse ndryshe nga ata, ai nuk është i angazhuar politikisht…
Qyteti im nuk banohet nga dele por nga njerëz që reagojnë! Në qytetin tim protestohet dhe reagohet në çdo orë të ditës, pothuajse çdo ditë, kundër Edi Ramës dhe parave të ndyra të krimit dhe të drogës që me arrogancën brutale të qeverisë dhe Edi Ramës po shkatërrojnë çdo pasuri: kulturore, shpirtërore, financiare…minerare…
Në qytetin tim protestojnë të gjithë, duke nisur nga më i madhi i skenës dhe ekranit, tek më modesti i “skenës” ekonomike, sociale e politike!
Proteston dhe reagon secili kundër asaj që vuan, pa e përzier “hallin e tij” me “hallin e tjetrit”, “artistikisht korrekt”, “fiskalisht korrekt”, “minerarirsht korrekt”… politikisht korrekt…
Në fakt halli i të gjithëve ka vetëm një emër! Quhet Edi Rama, dhe zgjidhet duke e shporrur nga ajo zyrë që ka uzurpuar, të gjithë bashkë, “kolektivisht korrekt” e të përpiktë në të njëjtin orar, në të njëjtin shesh e për të njëjtin qëllim!