Shullazi pret dënimin nga Gjykata, ja të gjitha akuzat për kapobandën

Shkon drejt fundit procesi gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe bandës së tij. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda sot ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj tyre.
Ne seancën e sotme u administruan provat shkresore, teksa pretenca për Shullazin dhe katër të pandehurit e tjerë do të jepet në datën 26 qershor.
Të pandehurit Emiljani Shullazi, Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja, Endrit Zela akuzohen për disa vepra penale, të kryera në periudhën 2014-2016, dhe, më konkretisht për:
-“Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në dëm të shtetasve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku.
-Kanosje për shkak të detyrës, në dëm të shtetasve Mynyr Kone dhe Dhori Kule.
-“Shkatërrim prone me eksploziv”, në dëm të pronës së shtetasve Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku.
-“Grup i strukturuar kriminal”.
-“Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, të akuzuarit akuzohen për disa episode të ndryshme:
-Nga hetimet rezulton se në periudhën 2014-2016, të akuzuarit si grup kriminal kanë shtrënguar me anën e kanosjes shtetasin Ylvi Beqja, dhe ky i fundit i kaloi në pronësi Emiljano Shullazit një pjesë të ish-hotel “Vollga” në Durrës, si edhe shuma të konsiderueshme monetare.
-Në Janar 2016, të akuzuarit si grup i strukturuar kriminal kanë shtrënguar për dhënie pasurie shtetasin Adriatik Kërçuku, i cili ishte pronar i një biznesi mjetesh lundrimi në Lushnje. Dy muaj pas kërcënimeve ndaj këtij shtetasi, konkretisht në Mars 2016, pjesëtarët e grupit, akuzohen se kanë vendosur dhe shpërthyer lëndë plasëse tritol në ambjentet e biznesit të të dëmtuarit Adriatik Kërçuku.
-Në Shkurt 2016, të akuzuarit si grup kriminal kanë shtrënguar për dhënie pasurie shtetasin Jani Zaka, i cili posedonte pronë në Tiranë. Të pandehurit akuzohen se i kanë vendosur lëndë shpërthyese tritol një garazhdi në pronësi të Jani Zaka, në shenjë kërcënimi për qëllime përfitimi të paligjshëm
-Në Prill 2016, të pandehurit akuzohen se kanë kanosur për shkak të detyrës shtetasit Dhori Kule dhe Mynyr Kone, pedagogë dhe drejtues në Universitetin e Tiranës, me qëllim që profesor Kone të largohej nga gara për Rektor në këtë universitet.