Asqeriu ironi me Ramën: Kur të shkojë në Paris t’i kërkojë Macron të shembë Teatrin e Komedisë

Aktori i njohur, Bujar Asqeriu i ftuar në “360 Gradë” në Ora News, tha se shqiptarët duan punë dhe rilindje shpirtërore dhe jo rilindje urbane. Ai ironizoi, duke thënë që Rama t’i kërkojë Presidentit francez Macron që të shembë Teatrin e Komedisë në Paris se është i kohës së Bonapardit.
“Këta trumbetojnë Rilindjen Urbane. Shtrojnë 5 pllaka mermeri në qendrat e qyteteve. Shqiptarët kanë nevojë për rilindje shpirtërore. Shqiptarët duan të punojnë dhe jetojnë. Duan punë. Duan të zhdukin varfërinë. Prandaj, kur shumë e rëndësishme është rilindja shpirtërore, motivimi që çdo njeri të shkojë në punë me dëshirën, ai i pret kokën institucionit kryesor, Teatrit Kombëtar. Shembet thotë se s’ka gjë. Unë i them Ramës që kur të shkojë në Paris t’i propozojë Presidentit Macron; shembe këtë Teatrin e Komedisë se rri shumë keq këtu pranë lumit. Është e kohës së Napoleon Bonapartit. Këtë histori kemi ne. Respektoje. Për ca vite shkon 100 vjet Teatri. Je i zoti, bëj teatër të ri në një vend dominant”, u shpreh Asqeriu.
Çipi: Projekti për teatrit aferë korruptive
Regjisori i njohur Kastriot Çipi i ftuar në “360 Gradë” në Ora News, tha se ideja për teatrin e ri kombëtar ka shumë pika të errëta. Ai shtoi se ligji i propozuar së fundmi nga qeveria është i paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe botës, pasi bëhet ligj për një kompani private.

Çipi: Fusha Shpk është një subjekt privat. Nuk ka tagër për të ndërtuar teatër. Duhet të jetë Ministria e Kulturës të udhëhiqte këtë proces. Befas na vjen një propozim i pa kërkuar. Pastaj, hapen akrivat dhe na del se para se të vijë ky propozim i pa kërkuar, zt.Veliaj thotë në Këshillin Bashkiak se kam parë projektin dhe është fantastik për teatrin.
Ka shumë pika të errëta në këtë histori. Del një arkitekt danez, qoftë edhe më i madhi në botë, nuk ka rëndësi kjo, i cili del dhe thotë se jam komisionuar nga bashkia dhe bashkia del dhe e mohon. Nga ana tjetër, ky projekt del i vjedhur. Nuk e di sa kushton.
Është vetëm një projekt ide. Ku e gjeti qeveria interesin publik që pranon këtë ofertë, kur nuk ka çmim? Si u bë pazari që na doli me leverdi? Erion Veliaj thotë se është 30 mln euro dhe nuk e di asnjë njeri sa kushton sepse nuk ka projekt. Si u vlerësua toka që do ta marrë Fusha shpk?
Kjo është një aferë korruptive që Rama e di shumë mirë se nuk mund të kalojë me ligjin për koncesionet sepse ne e godasim në gjykatë dhe e bllokojmë. Rama e di se gjykatat dalim jashtë loje nëse bëhet me një ligj të veçantë dhe ky është ligji i paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe të botës, një ligj me një emër kompanie.