A është Brazili i varur nga Neymar? Tite zbërthehet para Botërorit

Brazili është favoriti për të fituar Kupën e Botës në Rusi. Ka një grup që kombinon të rinjtë dhe përvojën, si dhe shumë cilësi. Edhe trajneri Adenor Leonardo Bacchi “Tite” e pranon këtë sfidë.
-Brazili është një nga favoritët për të fituar Kupën e Botës. A është diçka e rrezikshme apo motivuese?
Brazili, Spanja, Franca, Gjermania, Argjentina dhe Belgjika janë favoritët e mi për këtë Botëror. Unë nuk do të gjykoj nëse është e rrezikshme apo motivuese. Kjo varet nga perceptimi. Thjesht them se ne duhet ta pranojmë këtë rol dhe të përgatitemi sa më mirë. Duhet të jemi mendërisht të fortë për t’u përballur me këtë sfidë.
-Çfarë ka ndryshuar që kur zëvendësuat Dungën si trajner i Brazilit?
Duhet të jem i sinqertë dhe të them se kam një trashëgimi të punës së Dungës. Ai e filloi me modulin 4-1-4-1, duke përdorur Renato Augusto, ndërsa portieri Alisson shërbente edhe si një mbrojtës iniciator. Unë, gjithashtu, kam meritat e mia në pozicionimin dhe përdorimin e lojtarëve të ndryshëm, por është e rëndësishme ta bëjmë këtë trashëgimi të qartë, pasi kam fituar edhe një trashëgimi nga Luiz Felipe Scolari. Veprat nuk janë të pjesshme, të gjitha bashkohen në fund.
-Sa i varur është Brazili nga Neymar?
Një lojtar i klasit botëror e përmirëson ekipin, e bën më të fortë. Dhe Neymar është një lojtar i klasit botëror. Pritshmëritë rreth tij nuk janë njerëzore. Por, kërkesat duhet të jenë nga i gjithë ekipi, lojtarët dhe stafi teknik. Sot, ekipi është forca jonë më e madhe.

-Gabriel Jezus ka potencial të madh. Si ndikon kjo në mënyrën se si luan ekipi?
Ai është një lojtar i fortë dhe i aftë. Manchester City dhe Brazili po ia korrin frytet e punës së shkëlqyer, të bërë nga Palmeiras. Është i shpejtë dhe vertikal, ka një aftësi të jashtëzakonshme për të kombinuar, së bashku me një sens konkurrues dhe një ndjenjë të ekipit. Më ka impresionuar në stërvitje dhe në jetën e përditshme.
-Një dobësi e ekipit janë hapësirat që krijohen nga avancimi i Marcelo dhe Danilo…
Ekipi në tërësi është një bashkëpunim me rolet e lojtarëve të tjerë. Njëri shkon për tjetrin. Ne kemi një organizim mbrojtës, që bën të marrin pjesë në të edhe Neymar, Coutinho, Gabriel.
-Cili është virtyti më i mirë i ekipit që drejtoni?
Bashkimi që kemi. Kohët e fundit kam vënë re se nuk ka grupe në kombëtare. Lojtarët veteranë tashmë jetojnë me të rinjtë dhe ka gjithnjë e më shumë besim. Kjo ndihmon që futbolli ynë të shkojë në nivelim.
-Kundër Anglisë dhe Rusisë u përballët me mbrojtjen me pesë…
Unë mendoj se kemi pasur teste të mira kundër Anglisë dhe Rusisë. Është një situatë, që stafi teknik e ka studiuar, sepse besojnë që do të përdoret gjatë këtij Kampionati Botëror.
-A luan humbja 7-1 kundër Gjermanisë ende një rol të rëndësishëm në mentalitetin brazilian?
Kjo disfatë është një episod, që i përket historisë së ekipit brazilian. Ne duhet të jetojmë me të dhe ta kapërcejmë, ashtu siç kemi momente të tjera në historinë tonë, si fitorja në vitin 2002, apo humbja në vitin 1950.