Boçi: Rasti Kasmi dëshmi se dhuna e Ramës po përshkallëzohet

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në “News24”, foli për debatin e nxehtë me ofendime ditën e sotme në Komisionin e Medias. Në komision sot çështja kryesore që u diskutua ishte dhuna ndaj kryeredaktorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi, nga policia në protestën e opozitës një javë më parë.
“Të gjitha rrugët të çojnë tek shtimi i dhunës, nuk është vetëm rasti i Kasmit rast unikal, ka ardhur në progresion. Është rasti i Hamza Atikës, rasti i Jetmir Olldashit, i Ambrozias, ku në komunikim të drejtpërdrejtë apo jo të tillë, ka ushtrim presioni. Kjo e Kasmit kishte vëmendje të madhe se ndodhi në sy të medias. Një gazetar që kundërshton këtë vijë politike të PS, artikulim të së vërtetës, shqetësimi ynë është ky që cenimi i lirisë së medias është përshkallëzuar. Shqipëria ka humbur pozicione në lirinë e shtypit, në rajon e rang më të gjerë.
Sot vendimet e drejtësisë nuk meren në Prokurori, por në proceset që ndërmerr policia. Policia sigurisht është politike, e kontrolluar nga Rama. Ashtu si gjykatat e kryeprokuroria. Kemi një polici që ushtron dhunë e presion në të gjitha format”, tha Boçi.
Ndërsa përsa i përket tarifës së “Rrugës së Kombit”, edhe ndryshimin e pagesës për qytetarët kuksianë deputeti demokrat e konsideron vjedhje nga ana e qeverisë. “Sa herë e vërteta i përplaset në fytyrë qeverisë në bashkëpunim me krimin, do të ketë protesta. Në raport me protestën e Kukësit, ajo ishte e iniciuar nga vetë kuksianët, e mbështetur nga opozita. Ka ende të arrestuar që rrinë në qeli. Edhe çmimi 100 lekë është grabitje. Vjedhje quhet. Nëse kemi taksë karburanti, s’kemi pse kemi taksë rruge”, u shpreh Boçi.