Mbyllet seanca e parë e ‘Habiljave’, Moisiu pranon akuzën dhe kërkon gjykim të shkurtuar

U zhvillua sot në Gjykatën e Catanias seanca parapërgatitore në ngarkim të grupit italo-shqiptarë drejtuar nga Moisi Habilaj. Mediat italiane raportojnë detajet e asaj çfarë ka ndodhur në këtë seancë e cila u zhvillua nën masa të rrepta policore.
Në sallë ishin prezentë Moisi Habilaj i transferuar nga burgu me mjete të blinduara dhe një eskortë policore e përforcuar. Ai është futur në sallën e gjykatës përmes garazhit të saj. Për arsye sigurie policia ndaloi mediat të filmojnë gjatë seancës gjyqësore.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm shumë familjarë të të arrestuarve disa prej tyre ardhur enkas nga Shqipëria. Pas një debati mes avokatit të njërit prej të arrestuarve italianë, gjykata e shtyu seancën për në Shtator 2018 ku do të vendoset nëse do të pranohet kërkesa e këtij të pandehuri për një gjykim të shkurtuar.
Sipas procedurës gjykimi shkurtuar parashikon mos shtimin e provave të reja përveç atyre që janë aktualisht në dosje. Kjo i mundëson të pandehurit dënim më të ulët. Bëhet e ditur se, Moisi Habilaj gjatë të gjithë seancës që ka zgjatur më shumë se 2 orë u shfaq i qetë madje duke qeshur me të bashkë arrestuarit e tjerë.
Në një moment ai ka përshëndetur të gjithë të pranishmit në sallë. Edhe avokati Moisi Habilajt ka kërkuar gjykim të shkurtuar për klientin e tij. E njëjta kërkesë u përsërit edhe nga avokatët e tjerë.