Ballina Politikë Kryemadhi thirrje deputetëve socialistë: Largohuni nga Rama, shpëtojeni PS-në!

Kryemadhi thirrje deputetëve socialistë: Largohuni nga Rama, shpëtojeni PS-në!

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i ka drejtuar një lutje deputetëve socialistë të largohen nga kryetari dhe kryeministri Edi Rama, sepse ai “është një segment kriminal”, pasi kësisoj shpëtojnë edhe Partinë Socialiste me histori 80-vjeçare.
Në fjalën e saj të protestës në Kuvendin e Shqipërisë, Kryemadhi tha: “Të gjithë “ambasadorët dhe përfaqësuesit e krimit të organizuar” në këtë sallë kanë dalë jashtë. Misioni ynë është për të sensibilizuar shqiptarët. Ashtu siç Rama i kërcënon qytetarët çdo ditë, ashtu të çohen edhe qytetarët dhe bashkë me ne – jo të kërcënojmë Edi Ramën – por ta largojmë atë. Sepse largimi i Edi Ramës nuk është vetëm shpëtim për shqiptarët, por është shpëtim për Edi Ramën dhe familjarët e tij. E them këtë sepse vetëm kështu ai do të gjejë qetësi në shpirtin e tij të trazuar, i cili nuk e lë më të flejë i qetë. Por qetësinë që atij i mungon, nuk mund ta gjejë dot duke terrorizuar shqiptarët. E vetmja mënyrë është të largohet e të jetë i qetë dhe t’i krijojë hapësirë vetes së tij në llumin ku ka rënë. Llumi dhe era e keqe që ka uzurpuar Edi Ramën nuk ka pse të kalojë tek shqiptarët.
Unë do t’u lutem nga kjo foltore edhe pse s’janë, të gjithë socialistëve, që të largohen prej tij, se ai është një segment kriminal që e tjetërsoi PS-në në partinë e krimit, trafikut dhe mjerimit të shqiptarëve.
Iu bëj thirrje socialistëve të ndershëm dhe atyre pak deputetëve në këtë sallë që të shpëtojnë PS-në, ndryshe historia e kësaj partie prej 80 vjetësh është e destinuar për t’u mbyllur këtë vit”.

Exit mobile version