Merkel në Kinë për të kërkuar bashkëpunim

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizituar Kinën, duke kërkuar bashkëpunimin e vendit eksportues më të madh të botës teksa Presidenti Donald Trump vazhdon të trondisë me çështje të rëndësishme që nga tregtia tek marrëveshja bërthamore me Iranin. Gjetja e një strategjie të përbashkët për të shmangur luftën tregtare dhe për t’i mbajtur tregjet e hapur është prioriteti i Merkelit në vizitën me presidentin kinez Xi Jinping në një kohë kur Uashingtoni kërcënon me vendosjen e tarifave të kripura në importet e aluminit dhe çelikut.
“Të dy vendet janë dakord se tregjet e hapura dhe një botë tregtare e bazuar në rregulla janë të nevojshme. Ky është fokusi kryesor i vizitës së kancelares”, ka thënë zëdhënësja Martina Fietz në Berlin ditën e premte. Megjithatë, arritja e marrëveshjes me Pekinin kundër Uashingtonit është e ndërlikuar për shkak të marrëveshjes ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për t’i shtyrë masat në fushën e tregtisë.
Shëndeti ekonomik i Kinës mund të përfitojë shumë nga Gjermania, duke qenë se gjiganti aziatik është një blerës i madh i produkteve “Made in Germany”. Por nga ana tjetër, një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Pekinit e bën Berlinin shënjestrën kryesore të fushatës së Trumpit kundër importeve të huaja që i konsideron si dëmtues të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Lideri amerikan e ka kritikuar Gjermaninë, duke thënë se ka “përfituar” nga Shtetet e Bashkuara, duke shpenzuar më pak nga sa i takon në NATO. Duke nënvijëzuar rreziqet që ekzistojnë, ministri francezi Ekonomisë, Bruno Le Maire, paralajmëroi se marrëveshja SBA-Kinë mund të bëhet në kurriz të Europës, nëse rajoni nuk arrin të mbajë një qendrim të ashpër.

11 vizita në 12 vjet
Mërkel ka ndërtuar një marrëdhënie mjaft të mirë me Kinën gjatë 12 viteve të saj si kancelare. Asnjë lider perëndimor nuk e ka vizituar Pekinin aq shpesh sa Merkel, e cila ka bërë plot 11vizita në vend. Në Kinë, ajo shihet jo vetëm si pika kryesore e kontaktit me Europën, por edhe si një interlokutore e besueshme, një antitezë ndaj Trumpit.
Merkel ka theksuar se Berlini dhe Pekini janë të zotuar për të respektuar rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe duan të forcojnë multilateralizmin. Ajo nënvijëzoi gjithashtu se do të mbrojë reciprocitetin e aksesimit të tregjeve dhe respektimin e pronësisë intelektuale.
Megjithatë, para vizitës pati një valë të shkurtër kritikash. I dërguari i Kinës në Gjermani, Shi Mingde, nënvijëzoi “trendin proteksionist të Gjermanisë” dhe u ankua për ashpërimin e rregullave që mbrojnë kompanitë gjermane nga blerësit e huaj. Vetëm 0.3 për qind e investitorëve të huaj në Gjermani vijnë nga Kina, ndërkohë që firmat gjermane kanë investuar 80 miliardë euro në gjigantin aziatik gjatë tre dekatave të fundit, tha ai për “Stuttgarter Nachrichten”.
“Shkëmbimi ekonomik nuk mund të funksionojë si një rrugë me një drjetim”, paralajmëroi ai. Ndërkohë, mbi rrezikun e betejës së tregtisë rëndon edhe një çështje tjetër e rëndësishme: marrëveshja bërthamore me Iranin, e cila rrezikon të prishet, pasi presidenti Trump nxorri jashtë saj Shtetet e Bashkuara. Teherani ka kërkuar që Europa ta vazhdojë marrëveshjen, duke vazhduar edhe bashkëpunimin ekonomik, pro Shtetet e Bashkuara ka paralajmëruar format europiane se do të imponojë sanksione nëse nuk distancohen nga Irani. Merkel shpreson që Kina mund ta ndihmojë të shpëtojë marrëveshjen bërthamore që SHBA e ka prishur në mënyrë të njëanshme, thotë “Die Welt”. “Vetëm një ekonomi gjigante në zhvillim mund të blejë aq shumë materiale bruto nga Irani për t’i dhënë regjimit të Mullahut një incentiv që të bashkohen zyrtarisht të mos vazhdojë programin bërthamor”.
Tani që Merkelit i nevojitet bashkëpunimi i Kinës, aktivistët shpresojnë se çështjet e të drejtave të mos dalin në plan të dytë. Ata shpresojnë në veçanti që Merkel të ndërhyjë për fatin e Liu Xia, vejusha e nobelistit Liu Xiaobo, e cila mbahet nën arrest shtëpie nga Kina. “Shpresojmë që Merkel të marrë me vete në Gjermani edhe Liu Xian dhe se Kina do të tregohet aq e zgjuar sa ta lirojë atë në këtë kohë”, shkroi Sophie Richardson drejtuese e Human Rights Watch për Kinën.
Në fund të prillit, ambasadori gjerman në Kinë, Michael Clauss tha për gazetën “South China Morning Post” se, Liu do të mirëpritej në vendin e tij. Kur e pyetën nëse Merkel do të takohej me aktivistët, zëdhënësja Fietz nuk bëri asnjë koment, por tha se rregulli i përgjithshëm është që qeveria dhe kancelarja të interesohen vazhdimisht për çështjet e të drejtave të njeriut.