A do të lirohet Tahiri? Si iu kthye pasaporta me urdhër të Ramës

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pritet të dalë sot para Gjykatës së Apelit për të shqyrtuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Çështja e Tahirit në Apelin për Krimet e Rënda pritet të vendoset nga treshja e gjyqtarëve që i zhbllokuan pasaportën ish-ministrit vitin që shkoi.
Kryesuesja e trupës gjyqësore është Saida Dollani, pasuar nga Sokol Binaj dhe Fehmi Petku.
Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu tha ditën e djeshme se mbi gjyqtarët çështjes “Tahiri” po ushtrohet presion.
“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, ka thënë Donald Lu.
Tre javë më parë ndaj ish ministrit të Brendshëm u vendos masa arrest shtëpie, teksa ndaj tij rëndojnë akuzat për trafik narkotikësh me bandën e Habilajve dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë. Vendimi erdhi pothuajse dhjetë ditë pasi ai hoqi dorë nga mandati i deputetit.
Ndërkohë vetë Tahiri ka folur dhe është shprehur se, për të është njëlloj, si arrest shtëpie, si arrest me burg.