Në Kiev quhet “udhëtar”, Salah prish agjërimin!

Mohamed Salah ka prishur sot agjërimin dhe nuk do të agjërojë as nesër, në ditën e finales së madhe të Champions League, sipas asaj që ka bërë të ditur mjeku i Liverpool.
Egjiptiani është një mysliman i devotshëm dhe si i tillë po agjëron gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit që nisi më 16 maj dhe mbaron më 14 qershor.
Por feja islamike ka një rregull që i lejon udhëtarët të ushqehen kur janë në rrugë, larg shtëpisë apo vendbanimit të tyre, kësisoj Salah mund t’i rikuperojë këto dy ditë në një periudhë tjetër të vitit, pasi në Kiev ai quhet udhëtar!
“Kur ishim në përgatitjet në Spanjë, në Marbella dietologët tonë përpiluan një plan special për Salah dhe Mane, tha mjeku i Liverpool për “Cadena SER”, por në Ukrainë kjo nuk vlen, sepse ai do të ushqehet rregullisht si pjesa tjetër e futbollistëve gjatë këtyre dy ditëve që konsiderohet si udhëtar”.
Salah nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare që kur ka nisur Ramazani, pasi për herë të fundit ka qenë në fushë më 13 maj, në ndeshjen e fundit të Premier League, ku shënoi një nga katër golat në fitoren e Liverpool, të 32-in për të në Angli, të 44-in në sezon.
Kryemytiu i Egjiptit i ka dhënë leje t’i shtyjnë ditët e agjërimit për në korrik, sepse po kontribuojnë për kombin dhe kjo konsiderohet si diçka e shenjtë, futbollistët e Egjiptit nuk kanë ndërmend ta ndërpresin atë veprim që e quajnë të shenjtë dhe të domosdoshëm për pastrimin e shpirtit, sipas asaj që shkruhet në kuran.

Salah: Jemi 11 kundër 11, e kaluara nuk ka rëndësi në një finale
44 gola në këtë sezon, 10 prej të cilëve në Champions League. Fitorja ndaj Real Madrid në Kiev do të ishte “qershia mbi tortë” për sezonin e artë të Mohamed Salah.
“Të luash në finalen e Champions është një ëndërr që bëhet realitet dhe ta fitosh do të ishte një arritje e jashtëzakonshme, – tha egjiptiani për UEFA.com. – Real Madrid ka shumë përvojë, por është një ndeshje finale dhe e kaluara nuk ka të bëj. Luajmë 11 kundër 11, te Liverpool jemi të gjithë shokë dhe Klopp është shok me të gjithë ne.”
“Nuk e di se çfarë do të thotë të fitosh Champions League, sepse tjetër gjë është të luash në finale dhe tjetër gjë është ta fitosh. Do të ishte arritja më e madhe. Të gjithë janë entuziast. Mbaj mend që dy vjet më parë isha në Egjipt me pushime dhe atje të gjithë po shikonin finalen e Champions dhe atmosfera ishte e jashtëzakonshme, edhe pse ajo ndeshje nuk kishte të bënte fare me ta,” – vazhdoi Salah.
Në lidhje me golat e tij, të cilët kanë qenë mbi çdo parashikim në këtë sezon, sulmuesi i ardhur nga Roma, shtoi: “Puna e fortë në stërvitje ka qenë çelsi i gjithçkaje. Kryesorja është që të qëndrojë në këto nivele edhe vitin e ardhshëm. Tani po mendoj vetëm për finalen e madhe. Në Romë bëra dy sezone me nivel dhe nisa të besoja te vetja ime. Kërkova të shkoja në Angli sepse e dija që do të isha i suksesshëm dhe fatmirësisht ia dola në sezonin e parë.”
Salah mund të bazohet edhe te forma e mirë e kolegëve në sulm, Firmino dhe Mane: “Kryesorja për ne është të ndihmojmë skuadrën të fitojë, ka pak rëndësi se cili shënon, kryesorja është që në fund të marrim kupën. Mentaliteti ynë është një për të gjithë, të gjithë për një. Unë kam bërë dhjetë gola në Champions, Mane nëntë gola, Firmino dhjetë. Kjo tregon se kemi merita të barabarta në rrugën drejt suksesit.”
Teksa thotë se momenti i tij i preferuar në këtë sezon ka qenë goli në fushën e Manchester City, sulmuesi afrikan zbulon edhe idhujt e fëmijërisë: “Totti, braziliani Ronaldo dhe Zidane. Ata që unë kam adhuruar ishin krejtësisht ndryshe nga të tjerët në mënyrën si luanin futboll”.