Bashkëpunon me të vëllanë në trafikun e drogës, a do të arrestohet Fatmir Xhafa?

Fatmir Xhafa është munduar të anashkalojë të gjithë përgjigjet e pyetjeve të bëra nga selia e PD mbi rolin që ai ka pasur në mbrojtjen e vëllait të tij të dënuar për trafik droge në Itali me 7 vite burg. Xhafa nuk ju përgjigj personalisht as akuzave direkte në drejtim të tij se ai ka falsifikuar edhe nenet e reformës në drejtësi për të mos lejuar ekstradimin e të vëllait të tij në Itali, duke e kushtëzuar këto ekstradime në vendet e BE, vetëm nëse do të jepej garanci prej tyre se për të dënuarit në mungesë do të kishte rigjykim. Për t’iu përgjigjur këtyre akuzave direkte të PD ndaj Xhafës, Rama zgjodhi si strategji atë të nxjerrjes së figurave qesharake si Balla dhe Hysi.
Vetë Xhafa doli në një konferencë për shtyp. Ai nuk hodhi poshtë këto akuza të opozitës, por kërkoi të mbrohej duke thënë se ai nuk kishte përgjegjësi për ato që kishte bërë vëllai i tij në të shkuarën. “Ishte në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar” tha Xhafa në deklaratën për mediat.
Sot rrethanat kanë ndryshuar. PD ka bërë publike përgjimet e vëllait të ministrit të Brendshëm. Këto përgjime nuk janë bërë në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar, por vetëm pak ditë pasi PD ka nisur sulmet ndaj Agron Xhafës. Përmes përgjimeve kuptohet qartë se vëllai i ministrit i referohet sulmeve që PD ka nisur ndaj vëllait të tij. Ai thotë se do ta ndihmojë edhe kësaj here mikun e tij duke e dërguar tek njeriu i afërt që merret me shpërndarjen e kanabisit , ndërsa i lutet që të mos i bjerë më në qafë për punët e drogës pasi po e sulmojnë nga të gjitha anët.
Nga përgjimi kuptohet se vëllai i ministrit vijon aktivitetin e trafikut të drogës. Vetë ministri tanimë nuk ka më se si të justifikohet. Tani nuk është më vetëm Agron Xhafaj që duhet arrestuar, por edhe i vëllai, i cili lejon trafikun e drogës që kontrollohet nga Agroni. Ministri ka tani përgjegjësinë e plotë të përgjigjet para drejtësisë se si është e mundur që ai vijon të jetë në krye të ministrisë së Brendshme ndërsa vëllai i tij ka paprekshmëri në trafikun e drogës. Ky mund të jetë një rast unikal në botë për një ministër të Brendshëm.Ai ka kaluar të gjitha limitet dhe tanimë është një bashkëpunëtor në trafikun e drogës bashkë me të vëllanë.