Champions “utopi” për Chelsea

Chelsea ka shumë pak shanse për t’u renditur në “Top 4”, pasi nuk ka shkuar përtej barazimit 1-1 ndaj Huddersfield në “Stamford Bridge” dhe tani duhet të fitojë në javën e fundit dhe të shpresojë që Liverpool të humbasë ndaj Brighton. Ose të shpresojë që Liverpool të fitojë finalen e Champions League ndaj Real Madrid.
Laurent Depoitre shënoi për Huddersfield, ndërsa Marcos Alonso barazoi për londinezët 28 minuta para fundit, por të besuarit e Antonio Conte zhgënjyen teksa nuk gjetën golin e fitores, ndërsa Huddersfield siguroi matematikisht qëndrimin në Premier League.
Nga ana tjetër, feston Tottenham që mposhti 1-0 Newcastle me golin e “të zakonshmit” Harry Kane dhe do të jetë në Champions League vitin tjetër. Kur mbetet edhe një javë nga fundi, Kane ka shënuar 28 gola, tre më pak se golashënuesi më i mirë Mohamed Salah.
Dikur gjetkë, Manchester City fitoi 3-1 ndaj Brigthon. Në pjesën e parë Danilo dhe Bernardo Silva shënuan për kampionët e Anglisë, ndërsa Ulloa realizoi barazimin e përkohshëm për miqtë. 15 minuta para fundit, Fernandinho shënoi golin e tretë për ekipin e Pep Guardiola. Të tre asistet e golave u dhanë nga Leroy Sane. City ka shënuar 104 gola në këtë edicion të Premier League. Rekord!
Ndërkohë, Leicester ka fituar 3-1 ndaj Arsenal, duke i shkaktuar londinezëve humbjen e shtatë radhazi në transfertë, si nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e Premier League. Iheanacho shënoi golin e parë pas 11 minutash lojë, ndërsa katër minuta më vonë “topçinjtë” mbetën me dhjetë futbollistë, pas kartonit të kuq të marrë nga 20-vjeçari Konstantinos Mavropanos.
Edhe pse me një lojtar më pak, Aubameyang barazoi për miqtë, me golin e tij të nëntë në Premier League, ku zbarkoi në janar, por dhjetë minuta para fundit Leicester gjeti golin e dytë me penalltinë e transformuar nga Jamie Vardy. Riyad Mahrez i vulosi shifrat në 3-1, në minutën e fundit të ndeshjes.