Zbulohet data kur Habilajt do të dalin para gjyqit në Itali, a do të flasin për lidhjet me Tahirin?!

Është zbuluar data se kur do të nisë seanca e parë ndaj grupit të Habilajve në Itali. Personat u arrestuar në kuadër të operacionit “Rosa Dei Venti” ekzekutuar nga Policia italiane më 14 tetor të vitit 2017.
Me akuzën e pjesëmarrjes në aktivitet kriminal, në trafik ndërkombëtar droge e armësh, autoritetet italiane vunë nën hetim personat e konsideruar si anëtarë të një bande kriminale e drejtuar nga dy vëllezërit vlonjatë Moisi e Florjan Habilaj.
Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Katanias me përgjimet 5 vjeçare ndaj këtij grupi trafikantësh, përmendet disa herë dhe emri i ish ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri.
Më 31 maj 2018, personat e arrestuar nga hetimet e operacionit Rosa dei Venti, me kërkesë të prokurorit të Katanias Andrea Bonomo do të dalin para trupit gjykues të drejtuar nga gjykatësi Giancarlo Cascino.
Cilët janë personat e vënë hetim deri më tani nga Prokuroria e Katanias? A figuron emri i ish minstrit Tahiri në regjistrin e të hetuarve?
Këto pyetje priten të marrin përgjigje me nisjen e procesit gjyqësor, si dhe gjatë zhvillimit të seancave të tij ku do të zbardhen detajet e operacionit, përgjimet e antimafias italiane si dhe versionet e fakteve të vënë nën akuzë nga të arrestuarit.
Prokuroriia e Katanias dhe Antimafia Italiane prej disa muajsh kanë përcjellë në Tiranë dosjen hetimore ndaj këtij grupi trafikantësh duke kërkuar informacione e bashkëpunim hetimor në zbardhjen e plotë të përgjegjësve të këtij trafiku të madh droge mes Shqipërisë dhe Italisë.