Krimi horror në Fushë Krujë, si e dogjën viktimën dhe e detyruan të betohej mbi Kuran

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Fushë Krujë ku trupi i shtetasit kosovar Xhafer osmani, u gjet i djegur brenda një makine tip “Volkswagen Touran” me targa 02960SN e cila ishte shkrumbuar tërësisht.
Viktima Xhafer Osmani nga Mitrovica, dyshohet se është dhunuar, vrarë dhe më pas është djegur në makinë për të zhdukur gjurmët. Policia dhe Prokuroria e Krujës nuk kanë ende asnjë të dyshuar konkret për krimin makabër të ndodhur mesditën e së premtes, por ka krijuar një identikit të tij.
Por burime pranë grupit hetimor kanë thënë se autor i dyshuar i krimit është një person rreth 35 vjeç, i cili është fiksuar nga kamerat e një karburanti, disa metra larg vendit ku u gjet automjeti i djegur.
Nga sekuencat filmike, të regjistruara rreth 2- 3 orë para ngjarjes tronditëse vërehet se i dyshuari ndodhej pranë makinës së Xhafer Osmanit, ndërsa ky i fundit dyshohet se qëndronte i lidhur në sediljen e pasme të automjetit.
Policia ka bërë me dije se automjeti i Osmanit është futur në rrugicën pranë karburantit rreth orës 10:00 të së shtunës, ndërsa sinjalizimi për zjarrin është dhënë tri orë më pas, rreth orës 13:00. Për të humbur gjurmët, autori e ka fshehur automjetin në një zonë më kallamishte dhe më pas e ka djegur atë.

Ende nuk ka një motiv të saktë për vrasjen e kosovarit 61-vjeçar, ndërsa janë ngritur disa pista hetimi ku ku dyshohet se si shkak i kësaj ngjarjeje është bërë një lidhje intime e Xhafer Osmanit në Shqipëri.
Një tjetër pistë që po verifikohet është edhe ndonjë blerje prone apo ndonjë shitblerje që kosovari mund të ketë bërë këtu në Shqipëri me persona të ndryshëm. Kosovari rezulton i pastër nga veprat penale në Kosovë.
Sipas të dhënave, mësohet se pasi kanë fikur zjarrin që kishte përfshirë tërësisht makinën, shërbimet zjarrëfikëse së bashku me Policinë kanë gjetur në një distancë prej 3 metrash një Kuran, i cili nuk ishte i dëmtuar dhe i djegur. Libri i shenjtë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale për gjurmë gishtash.
Anëtarët e grupit hetimor e konsiderojnë praninë e Kuranit, si një kushtëzim që i është bërë viktimës për t’u betuar mbi librin e shenjtë për ndonjë dyshim që ata kanë patur se viktima i kishte mashtruar apo gënjyer, raporton ‘Tv klan’.
E gjithë ngjarja vijon të mbetet enigmatike ndërsa për përcaktimin e identitetit të viktimës do të jetë krahasimi i gjurmëve biologjike të viktimës të viktimës dhe familjarëve të të dyshuarit nëpërmjet ekspertizës së ADN që do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me 57-vjeçarin nga Mitrovica. Vëllai i Xhafer Osmanit ka deponuar në polici se që prej të premtes në mbrëmje telefoni i dilte i fikur.