Zidane: Ja pse nuk ka “korridor” nderi për Barçën!

Zinedine Zidane u paraqit para medias, në prag të klasikes që Real Madridi dhe Barcelona do të luajnë këtë të diel, në “Camp Nou”. Trajneri francez shpjegoi arsyet, pse ai vendosi të mos bëjë “korridorin” në respekt të kampionëve të Barçës.
Si është gjendja e skuadrës suaj?
Me tension të mirë dhe rezultate pozitive. Jemi stërvitur si duhet, kemi pushuar mirë dhe jemi gati për ndeshjen e nesërme. Skuadra është e gatshme për të luajtur.
A keni detaje mbi lamtumirën e Iniesta?
Asgjë, detaje si gjithmonë. E thashë edhe atë ditë që njoftoi largimin nga Barcelona, se është një lojtar që e admirojmë. Nuk është vetëm një futbollist special, por edhe njeri i jashtëzakonshëm. Se çfarë ka bërë, edhe si njeri, se kush është Iniesta, ne të gjithë e dimë. Patjetër, do ta përshëndes, ta përgëzoj dhe t’i uroj fat për të ardhmen e tij.
A i keni të gjithë lojtarët në dispozicion, duke përfshirë Isco dhe Varane?
Ne do të shohim se si do të luajmë. Kemi përpara një ndeshje që vlen tri pikë, fati i së cilës nuk do të ndryshojë klasifikimin. Sidoqoftë, është një lojë që duhet ta luash mirë dhe të bësh gjithçka mundesh për ta fituar. Si gjithmonë, nëse dikush vuan nga lëndimi, ai nuk do të luajë. Kemi shumë lojtarë për t’i zëvendësuar ata që mungojnë, kjo është gjëja më e rëndësishme.
Por, Isco dhe Varane duhet të udhëtojnë me grupin?
Po, ata do të udhëtojnë… Por, do të shihet nëse mund të luajnë.

Real Madridin e ndihmojnë arbitrimet në Europë…
Ju e dini mendimin tim, ndaj nuk do të hyj në kësi diskutimesh. Gjithçka që po them është se kemi të bëjmë me një tymnajë false. E kemi merituar të jemi në finale për atë që kemi bërë, që nga fillimi i sezonit. Mund të kemi fituar edhe me vështirësi, por nuk mund ta minimizojmë atë që kemi bërë me vendimet e gjyqtarëve. Unë nuk do të hyj në këtë diskutim, sepse asgjë nuk do ta ndryshojë atë që thoni. Gjëja e rëndësishme është se vlerësojmë atë që kemi bërë, sepse kjo është ajo që ka rëndësi për ne. Ne luftojmë, futemi në fushë ër të fituar. Kjo është ajo që kemi bërë kundër PSG, Juventusit dhe Bayernit, të cilët nuk janë kundërshtarë të vegjël.
A keni frikë se nesër mund t’ju dëmtohet ndonjë lojtar dhe të mos e keni për finalen e Kievit?
Jo, nuk do të mendoj për këtë, sepse nesër nuk do të shkojmë në luftë. Ne duhet të luajmë një ndeshje futbolli dhe do të sillemi si zakonisht. Do të japim më të mirën për të fituar me lojtarët që do të luajnë. E vetmja gjë që duhet të bëj është që lojtari, i cili nuk është njëqind për qind, nuk do të luajë.
Ramos do të barazojë Pirri në këtë ndeshje. Çfarë do të thotë Ramos për Real Madridin?
Ai përfaqëson shumë, me atë qëcka bërë. Ramos është udhëheqësi, kapiteni ynë. Ajo që përfaqëson si lojtar spanjoll për të gjithë futbollin është një shembull i liderit, i motivimit për të tjerët. Unë jam i lumtur që kam pasur mundësi të ndaj me Ramosin edhe pak karrierë stërvitore, sepse kam luajtur me të për një vit.
Jordi Alba ka ngritur insinuata se mosbërja e “korridorit” ndaj barcelonës, që është kampione e Spanjës tashmë, do të vijë si urdhër nga lart. A ju kërkoi presidenti Florentino Perez të mos e bëni “korridorin”?

Nuk është kështu, nuk është ai që vendos i vetëm, nëse “korridori” duhet bërë, apo jo. Ju duhet të flisni pak për situatën. Pas “Mundialito” kuptova se për ta nuk ishte e rëndësishme të bëhej “korridori”. Disa thonë se nuk ishin në konkurrencë, por kjo është një gënjeshtër. Kjo është ajo gjëja, që e bën situatën më të qartë. Ata janë të parët, që nuk e kanë bërë “korridorin” për Real Madridin. Gjithmonë e kam thënë: Ne nuk do ta bëjmë “korridorin”, sepse as katalanasit nuk e kanë bërë, por i respektoj si kampionë. Ne respektojmë atë që Barça ka bërë për ta fituar La Liga-n, çka është mjaft e komplikuar. Unë e përgëzoj Barçën dhe ky është respekti. Vendimi është i imi, aspak i klubit. Nuk do të bëj diçka, që ata nuk e kanë bërë më parë.
Por, mosbërja e “korridorit”, a është më shumë poshtërim?
Nuk mund të them se ky veprim e ka humbur thelbin e vet, apo jo, por tani është prishur. Nuk mund të themi se Real Madridi e ka thyer atë, sepse nuk është e vërtetë.
A është La Liga më e bukur se Liga e Kampionëve?
“Më e vështirë, po, gjithmonë e them, nuk ndryshon asgjë. E kam thënë gjithë jetën time.
A mendoni se do të flisnim më pak për gjyqtarët, kur bëhet fjalë për VAR?
Sigurisht, pak më pak. Ne duhet ta pranojmë atë, sepse është zhvillim teknologjik. Për disa arsye, nuk i ndaj disa gjëra me të tjerët për VAR, por le të mos hyjmë në këtë debat.
Pse Real Madridi po performon më mirë kohët e fundit në “Camp Nou” sesa në Bernabeu?
Kjo nuk lidhet me asgjë. Eshtë një ndeshje më shumë, por kundër Barcelonës është e vërtetë se ka më shumë motivim. Në tri vite ka pasur gjëra të mira dhe të këqija. Por, gjërat ndryshojnë. Ajo që kemi përpara është një lojë, të cilën duhet të përpiqeni ta fitojmë.
Benzema dhe Keylor shkëlqyen kundër Bayernit. Pse janë kaq të rëndësishme për këtë ekip?
Gjëja e parë ka të bëjë me personalitetin e tyre. Dhe pastaj, për mua, lojtarët e mëdhenj, të cilët bëjnë një ndryshim, duhet ta demonstrojnë këtë në ndeshjet e mëdha. Të gjithë kanë ulje dhe ngritje, por në momentet kyçe duhet të provojnë sa vlejnë. Unë jam shumë i kënaqur me të dy.