Zagani deklaron: Jam gati të dëshmoj kundër Tahirit, e ktheu policinë në bordello

Ish-shefi i Antidrogës në Fier, Dritan Zagani shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në ndihmë të drejtësisë, dhe zbardhjes së çështjes “Tahiri”. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Zagani thotë se deri më tani nuk ka marrë asnjë kërkesë apo ftesë për të dëshmuar në Komisionin hetimor për çështjen “Tahiri”.
Ai thotë se është i gatshëm që të dëshmojë si në komision, ashtu edhe në Prokurori, nëse do t’i kërkohet.
-Besoj se jeni në dijeni të një komisioni hetimor që është ngritur për çështjen “Tahiri”. A keni marrë ndonjë kërkesë për të bashkëpunuar?
Nuk kam marrë asnjë lloj thirrje apo ftese. Unë kam të paktën tre vite që jam jashtë vendit, dhe të vetmin kontakt me institucionet e Shqipërisë, e kam patur vetëm nëpërmjet institucioneve të vendit ku ndodhem për çështje dokumentesh.
-Nëse do kërkonte diçka komisioni hetimor, a do të dëshmonit?
Pa më të voglin dyshim. Jo i gatshëm, po super i gatshëm për çdo lloj bashkëpunim me ligjin dhe shtetin tim.
-Tahiri është lënë nën hetim kryesisht për shkak të hetimeve italiane dhe jo ato shqiptare. Si e mendoni ju?
Unë e quaj zhdrejtësi, dhe jo drejtësi. Të jeni të sigurtë se po të kishte drejtësi nuk do të kishte pse të diskutohej fare sot hetimi i drejtë apo jo. Të gjithë ishin në dijeni, por asnjëri nuk guxonte të vinte pikat mbi i. Tentonte dikush, por ndërhynte propaganda. Dhe më pas mu desh ta bëja këtë betejën, që për mua u kthye në personale.

-Ju thatë se do bashkëpunimi me komisionin hetimor nëse do ju kërkohej, por nëse ju kërkon prokuroria për të qenë dëshmitar?
Unë nuk jam pjesë e politikë, e urrej politikën dhe nuk dua të merrem me të. Por unë dua të përgjigjem për vendin tim.
-Çfarë ka mbetur pa thënë zoti Zagani në lidhje me “Habilajt” a ka ndonjë gjë që ju ka mbetur për të ndarë me publikun?
Ata ishin trafikantë të dorës së dytë se punonin me trafikantë të dorës së pare. Ishin trafikantë, kriminelë por para policisë iknin me vrap. Kur u shfrytëzuan nga trafikantë të cilësisë së parë ata morën edhe shtetin në dorë. Komandonin e kthyen policinë në një bordello, më kënaq kolegu juaj Bushati kur e thotë këtë. Këta e komandonin Policinë e Shtetit.
-A keni ju emra të tjerë zoti Zagani?
Jo, por edhe këta nuk do ishin zbuluar nëse nuk do të kishin qënë partnerët tanë ndërkombëtarë
-E ndjenit veten të kërcënuar?
Normale, po të mos ndjehesha i kërcënuar nuk kisha pse ikja. Unë ecja kokëlartë në Vlorë, Mora vendimin final pasi ndjehesha i rrezikuar.
-A keni pasur ndonjë kërcënim të ri?
Duke qënë aktiv në rrjetet sociale ka shumë nga këta minjtë e internetit që më dërgojnë kërcënime edhe me jetë. Ata shkruajnë aty ku të dhemb më shumë në drejtim të familjes. Ata paguhen për të demoralizuar që të mbyllësh gojën. Ata që vrasin nuk flasin. Falenderoj zotin që jam në një vend ku ndjehem i mbrojtur.

-A mund të na thonë ndonjë prej kërcënimeve që janë bërë në adresën tuaj?
Marr kërcënime me kodin e mafias: “Shpejt do të palosim”, “Do ta hamë kokën edhe ty”. Por këto nuk më trembin.
-Keni patur kontakt me ndonjë prej emrave të politikës?
Nuk kam patur, dhe nuk do të ketë. Zagani ka qenë, është dhe do të jetë polic. Pavarësisht situatës ku ndodhet tani.
-Çfarë prisni ju nga drejtësia?
Shoh disa drita jeshile që janë ndezur në drejtim të procedurës. Pavarësisht se gjërat po lëvizin me shpejtësinë e breshkës, të paktën po lëvizin. Më 2 maj janë mbushur plot 4 vjet nga arrestimi im, plus 6 muaj burg, plus 6 muaj hetime proaktive nga prokurori i famshëm Martini, për një akuzë bajate. Por për fat të mirë edhe në Shqipëri kanë një fund procedurat, dhe tani jemi në mbyllje të procedurave. Pastaj do të shohim si do procedohet. Por çështja ime jo vetëm është zvarritur, por është bllokuar në të gjitha hallkat e shtetit, jo vetëm sa i takon procedurave, por edhe zhvillimit të tyre.
-Ju çfarë prisni tashmë?
Pres minimumi të mbyllet shkak e parë dhe të vijohet me procedurën. Nuk pres asnjë ndihmë nga shteti shqiptar. Po edhe nëse duan të më dënojnë, të paktën të me dënojnë, se më pas do të vazhdoj me procedurat. Por ata nuk i mbyllin procedurat.
-Çfarë mesazhi keni për kolegët tuaj?
Ish-kolegët e mi pak janë në detyrë, por do të thoja për gjithë policët që mos ta lejojnë veten të bëhet vegla, por të realizojnë me përgjegjësi detyrën e tyre.