Real bleu Vinicius, Barça kundërpërgjigjet me “Neymar-in e ri”

“Neymari i ri”. Kjo është etiketa që i është vënë tashmë prej kohësh Rodrygo Silva de Goes, sulmuesi 17-vjeçar i Santos, i cili mund të vijë shumë shpejt në Europë dhe të veshë fanellën e Barcelona-s.
Është shumë i shpejtë dhe shumë teknik. Rodrygo është rritur tek ekipet e moshave të Santos para se të debutonte me ekipin e parë, me të cilin ka shënuar dy gola në shtatë ndeshje të luajtura deri tani (1 në kampionat, 1 Copa Libertadores). Kanë qenë cilësitë e tija teknike që kanë tërhequr vëmendjen e eksperetëve të Barcelona-s.
Rodrygo ka një kontratë me Santos deri në 2022-in, në të cilën përfshihet edhe një klauzolë prej 50 mln euro. Sipas të përditshmes spanjolle “Sport”, katalanasit janë shumë afër gjetjes së marrëveshjes me klubin brazilian. Edhe nëse marrëveshja arrihet, lojtari do të qëndrojë në Brazil deri në janarin e 2019-ës, kur të ketë mbushur 18 vjeç.
Me Real Madrid që është gati të marrë në La Liga talentin e Flamengo-s, Vinicus Junior (i blerë për 45 milionë euro), Barcelona po përgatit kundërpërgjigjen, duke marrë në Katalonjë “Neymarin e ri”. Me pak fjalë, kemi një “El Clasico” braziliane në merkato.