Real apo Liverpool? UEFA “shpall” fituesin e Champions-it në faqen e vet

Faqja e internetit e UEFA-s ka bërë një gabim të çuditshëm, që me siguri nuk do të rrijë mirë për shumë lojtarë të Real Madridit. Në faqen zyrtare të qeverisë europiane të futbollit është dhënë fituesi i Ligës së Kampionëve, që është Liverpool, edhe pse mbeten ende 22 ditë deri në finalen e madhe të Kievit, ku do të shpallet fituesi përmes fushës së blertë. Kujtojmë se në këtë “stacion” të garës madhore kontinentale të klubeve do të përballen Real Madrid dhe Liverpool.
Me 43 gola të shënuar në këtë sezon, Mohamed Salah ka befasuar të gjithë. Egjiptiani po kalon një moment të jashtëzakonshëm forme dhe është arma më e rrezikshme e Liverpool-it, që po përgatitet të përballet me Real Madrid në finalen e Champions League.
Pavarësisht nga kjo, Sergio Ramos nuk ka frikë: “E kemi parë atë që mund të bëjë Salah, por do të jetë vetëm një nga 11 lojtarët me të cilët do të përballemi”, ka thënë kapiteni i kampionëve të Europës në fuqi.
“Gjatë karrierës sime jam përballur me sulmuesit më të mirë të botës, shumë prej të cilëve janë konsideruar më të mirët e të gjitha kohërave. Nuk kam kurrë frikë, vetëm respekt”, ka përfunduar Ramos.