Ballina Sport Apeli i UEFA-s lë në fuqi dënimin me 10 vite për Skënderbeun

Apeli i UEFA-s lë në fuqi dënimin me 10 vite për Skënderbeun

Komisioni i Apelit të UEFA-s ka lënë në fuqi dënimin me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane të Skënderbeut dhe gjobën prej 1 milion eurosh, pas seancës së para pak ditëve ku dëshmuan edhe disa prej lojtarëve dhe ish-lojtarëve kyç të korçarëve.
Pas rreth 6 orë pyetjesh dhe përballje faktesh, paraqitja e përfaqësuesve të Skënderbeut përballë Komisionit të Apelit të UEFA-s përfundoi më 26 prill.
Veç presidentit Ardjan Takaj, përballë Komisionit të UEFA-s dëshmoi atë herë edhe Sabien Lilaj, i cili ishte i kërkuar nga vet përfaqësuesit e UEFA-s, i cili së bashku me Bakari Nimagën nuk kishin folur ndonjëherë për këtë çështje.
Pas tyre janë pyetur me radhë ish-kapiteni Bledi Shkëmbi, sot trajneri i Lirisë së Prizrenit; Bernard Berisha, sot lojtar i Groznit në kampionatin rus; si dhe Liridon Latifi, sot lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari.
Pavarësisht se kanë dëgjuar dëshminë e të gjithë këtyre lojtarëve dhe ish-lojtarëve, përfaqësuesit e Komisionit të Apelit të UEFA-s iu qëndruan fort raporteve të sistemit “BFDS”.

Reagon klubi i Skënderbeut: Paraqesim në kohë ankimimin në CAS
Menjëherë pas komunikimit të vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, që la në fuqi dënimin 10-vjeçar të Skënderbeut nga kompeticionet europiane dhe gjobën prej 1 mln eurosh nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës, ka reaguar edhe klubi korçar përmes një deklarate për shtyp.
“Sot, Apeli i UEFA-s shpalli vendimin mbi ankimimin e paraqitur nga Skënderbeu. Siç ishte paralajmëruar dhe pritej, asnjë ndryshim nga vendimi pararendës nuk është bërë prej këtij komisioni, pavarësisht argumenteve dhe provave të paraqitura nga pala jonë në seancën dëgjimore të datës 26 prill”, thuhet në deklaratë.
Më tej, zyrtarë të klubit korçar theksojnë se, Skënderbeu, brenda afateve ligjore do të paraqesë ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të Lozanës, “ku do të parashtrohen faktet dhe provat që rrëzojnë qëndrimin paragjykues të organeve juridike të UEFA-s”.
“Drejtësia për përfitime personale nuk është drejtësi, veçse abuzim me pozicionin dominues”, shkruhet në komunikatën e Skënderbeut.
Klubi korçar shprehet i bindur në pafajësinë e kujtdo, lojtari apo zyrtari.

Exit mobile version