Real-Bayern nuk mbaron në fushë, polemika për gjykimin!

Reali i Madridit ia doli të shkojë për herë të tretë radhazi finalen e Champions Leagues, teksa do të synojë edhe ta fitojë tashmë po kaq herë këtë trofe.
Skuadra e Zidane iu fal fitores 1-2 në Gjermani, pasi në “Santiago Bernabeu” nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2, falë edhe një gafe të rëndë të portierit të Bayernit, Ulreich.
Gjithsesi edhe këtë herë nuk kanë munguar polemikat mbi gjykimin, teksa moviola ka evidentuar të paktën 3 momente deçizive, të gjykuara gabim nga turku Çakir.
Në të 3 këto raste, Bayernit i mungon penalltia, çka bën që edhe njëherë të ndizet debati mbi favorizimin e madrilenëve në kompeticionin europian.
Në dy momente është Sergio Ramos që ndërhyn duke shkaktuar faull ndaj Robert Lewandowskit në zonë, por në asnjë moment nuk vjen vërshëllima e Çakir.
Madje gjyqtari turk nuk shikon as një prekje të dukshme me dorë të mbrojtësit brazilian Marcelo, në zonën e rreptësisë ,kur rezultati ishte ende 1-1.
Pra, ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë herë sfida mes Realit dhe Bayernit nuk arriti të përfundojë në fushë, pasi polemikat do të vijojnë edhe më pas.

Reali “masakrohet” nga mediat
Ecuria e Realit të Madridit këtë sezon në Champions ka kaluar mes polemikave tejet të forta, me akuza për mbështetje nga gjyqtarët.
E tillë ishte edhe ndeshje e kthimit ndaj Bayern Munchen, ku gjermanët pretenduan për një 11-metërsh të pastër pas një prekje të topit me dorë në zonë nga Marcelo.
Dhe sigurisht që akuzat më të forta vijnë në të tilla raste nga rrjetet sociale, por këtë herë madrilenët nuk janë kursyer edhe nga shtypi katalanas.
Nga hungarez Viktor Kassai, te turku Cuneyt Çakir. Vitet kalojnë, ndryshojnë ndeshjet, por të njëjtat akuza mbeten. Real Madrid është i preferuari, i cili shkon përpara me vendime tejet të diskutueshme të arbitrave. Vendi është i njëjtë, por ajo që bën çudi është edhe fakti që viktima është e njëjtë, Bayern Munchen”, kështu shkruajnë mediet për kualifikimin madrilen.
Tre raste mjaft të diskutueshme kundër Bayernit në ndeshjen e mbrëmshme, por në veçanti pretendimi për 11 metërsh, sollën irritimin e lojtarëve në fushën e lojës, por edhe “tërbimin” e tifozëve në mbarë botën, sigurisht edhe zemërimin e shtypit “armik”: “Një finale me stil të pastër madrilen” (Mundo Deportivo) “Penallti e pastër e padhënë” (Sport).
Megjithatë, ajo që mbetet është fakti që Reali shkon në Kiev. Finalja e tretë radhazi, e katërta në 5 vitet e fundit.

marca