Ballina Editorial Gjithçka mirë, veç…

Gjithçka mirë, veç…

Bledi KASMI

Gjithçka mirë. Kuvendi mirë, Statuti mirë, Kryetari mirë, kritikët mirë, demokracia e brendshme mirë, veç zgjedhjet janë keq. Nuk duhet të gënjejmë veten. Nëse zgjedhjet bëhen sërish nesër nën këtë regjim, atëhere rezultati i tyre nuk do të ndryshojë skemat e manipulimit nga ato të viteve të mëparshme ku votat blihen, krimi kërcënon dhe oligarkët fitojnë.
Dhe ne pastaj do të jemi sërish duke diskutuar dhe debatuar prap kot, jo statuti, jo Kryetari, jo Kuvendi, jo kritikët, jo demokracia e brendshme. Ky është rrethi vicioz nga ku duhet dalë. Debatet e brendshme janë të rëndësishme dhe vitale për një forcë politike demokratike, por ato nuk duhet të kthehen në qëllim në vetvete duke humbur më shumë energji nga sa i takon. Këto debate janë luksi i një demokracie funksionuese, por të tepërta në një kohë që vendi është nën një diktaturë krimi.
Do të ishte luks i madh të pretendojmë të gjejmë apo të ndërtojmë engjëllin në PD, ndërsa lemë rehat djallin që qeveris. Fshijeni nga mendja; nuk ka parti engjëllore sa kohë të gjithë jemi mëkatarë në këtë botë. Fshijeni nga mendja edhe debatin idiot mes jush se kush është demokrati më i madh sa kohë vetëm qorrat nuk arrijnë ta shohin se sot 90% e shqiptarëve janë opozitarë me këtë regjim.

Dhe duke harruar faktin më thelbësor të një populli masiv opozitar merremi dhe luftojmë veteveten, me të gjitha mjetet dhe me çdo çmim duke harruar, se çfarë duhet dhe se çfarë presin shqiptarët nga opozita.
Ajo që duhet kuptuar përtej mureve burokratike politike është se halli i karrigeve të një pjese nuk është sot as halli i demokratëve dhe as halli i shqiptarëve. Halli i tyre është shumë më i madh. Eshtë halli i një vendi që ka humbur shpresën dhe po ha vetveten.
Kukësi dhe beteja në Rrugën e Kombit është shembulli më i mirë për të kuptuar atë që sot po zien përbrenda shqiptarëve të revoltuar. Ata protestues nuk kishin në lëvizjen e tyre as Statut, as Kryetar, as kritikë dhe as u morën me ditë e javë me demokracinë e brendshme mes tyre.
Kishin një qëllim të qartë dhe me vendosmëri dhe trimëri e realizuan duke gjunjëzuar piramidën e ngritur në rërë të pushtave të bërë njësh me oligarkët. Nëse edhe ata do të ishin marrë me dilemën se kush do të jetë kryetari, si do të jetë statusi apo të tjera dilema burokratësh partish, ata do ta kishin harruar fare traun që u kishte zënë rrugën.
Rasti i Kukësit është tregues i qartë se populli po i tejkalon partitë. Kuptojeni këtë sa nuk është vonë.

Exit mobile version