Sasi droge rekord nga Shqipëria në Itali, kapet skafi me 2 ton kanabis në Adriatik

Një sasi rekord droge nga Shqipëria është sekuestruar sot në Itali nga Guarda di Finaza. Mediat italiane shkruajnë se Guarda di Finaza ka ndjekur një skaf të fuqishëm në Adriatik të mbushur me 2 ton drogë. Policia italiane ka sekuestruar drogën dhe ka vënë në pranga 4 shqiptarë.
Në kuadër të operacionit të ndërmarrë nga Guardia Di Financa sot gjatë natës, përveç sasisë së madhe të hashashit, u sekuestrua edhe një kallashnikov. Aksioni u mbajt në afërsi të Salentos, ndërkohë që policia u vu në ndjekje të një mjeti lundrimi. Ndonëse ky i fundit nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, Guardia Di Financa arriti ta ndalonte anijen. Katër shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, do të mbrohen nga avokati Cosimo Rampino. Të tjera detaje pritet të dalin në dritë nga operacioni në fjalë.
Droga shqiptare është kapur në Itali vetëm pak orë pas operacionit antidrogë në Madrid të Spanjës me sekuestrimin e 1 ton drogë dhe 1. 5 milionë euro para cash. Media spanjolle shkruan se janë 5 të arrestuar mes tyre dy shqiptarë në Madrid dhe personi i tyre i besuar, si dhe dy shtetas spanjollë.
Droga vinte nga Kolumbia dhe destinacioni ishte tregu europian. “Goditet mafia shqiptare në Madrid, policia ndërhyn dhe kap 1 ton kokainë dhe 1. 5 milione euro cash” shkruan portali spanjoll.
Operacioni i madh është bërë nga DEA, Policia Spanjolle, Policia Kombëtare e Kolumbisë dhe Europoli. Në pranga përfunduan 5 persona, mes tyre edhe lideri i këtij grupi kriminal.