Rama bën drejtor të Teatrit të Kukullave “kukullën” e qeverisë

Nga Ergys MERTIRI

Artisti ‘i madh’ Erion Isai, ai që ishte pro ndërtimit të 6 kullave në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe kundër protestës për mbrojtjen e Teatrit, pasi protesta sipas tij qenka e politizuar, u zgjodh Drejtor i Teatrit të Kukullave, nga një njeri “jopolitik”, si Kryeministri Rama. Pra aktori që mbron artin nga politizimi imagjinar prej opozitës sakrifikon aktorllëkun dhe regjisorllëkun për drejtorllëk!
Ironia është po aq therëse sa dhe realiteti. Kukullat e qeverisë e kanë qepur gojën për të mbrojtur teatrin, ndërsa Kryeministri di sesi t’i shpërblejë aktorët më të mirë në mbrojtjen e interesave të tij dhe oligarkëve. Erjoni ndërkohë mund të bëjë të vetën duke shpërndarë dekorata të tipit “Master of puppets” ose “Toc Kuklle i Popullit” për ata artistë që mbajnë lart ndërgjegjen klasore dhe vetëdijen politike, siç bëri me Luftarin e madh që sot nuk indinjohet më si dikur për brekët e Violeta Manushit.
Kush është pro Teatrit Kombëtar, dhe kundër Estradës së Kukullave, le të vijë sot në orën 19 në dëgjesën e rradhës në oborrin e Teatrit.