Sot gjyqi ndaj 11 protestuesve kuksianë, dhjetëra autobusë nga Kukësi drejt Shkodrës

Sot në Gjykatën e Apelit në Shkodër në orën 11:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj 11 protestuesve kuksianë që mbahen në burg prej më shumë se tre javësh. Bëhet e ditur se dhejtëra autobusë me qytetarë nga Kukësi e rrethe të tjera të veriut po mbërrijnë në Shkodër në mbështetje të protestusve të arrestuar.
Gjatë këtyre ditëve qytetarët në të gjithë vendin janë solicarizuar për 11 të arrestuarit dhe për kauzën e tyre. Në Tiranë dhe Kukës janë zhvilluar disa protesta ku kërkohej lirimi i tyre. Një mbështetje është dhënë dhe nga ana e opozitës, të cilët në seancën e parë që patën në Tiranë, patën dhe një konfrontim fizik me Policinë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, me anë të një statusi në Facebook i ka ftuar qytetarët e Shkodrës që ditën e nesërme të jenë të pranishëm para gjykatës së Apelit në Shkodër.
“Nderi dhe tradita e Shkodres e don qe te jemi sa me shume dhe te reagojme sa me fort ne mbeshtetje te tyre dhe kunder gjyqeve politike te cilat na kujtone kohet me te erreta te Shqiperise dhe me te cilat Shkodra dhe shkodranet nuk jane pajtuar as gjate diktatures me te eger” shkruan më tej Spahia.
Spahia thotë se i gjithë grupi parlamentar i PD-së do të jetë aty të premten.
Po ashtu sot në Shkodër do të jenë të pranishëm dhe 20 këshilltarët e bashkisë së Kukësit, të cilët janë nisur me autobus në drejtim të Shkodrës.
Avokatë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë gjetur disa shkelje nga ana e autoriteteve gjatë arrestimit të tyre, duke filluar nga falsifikimi i orës së arrestimit, apo nga shoqërimi pa njoftuar familjarët në drejtim të Tiranës.