Pazari i Ahmetajt: T’u hiqet taksa oligarkëve dhe t’i vendoset pronarëve të truallit

Një grup oligarkësh pranë qeverisë i kanë kërkuar ministrit të Financave që tu heqë një pjesë të barrës së tyre të taksave dhe t’ia kalojnë pronarëve të truallit ku zhvillohen pronat e tyre.
Ministri Ahmetaj tha se paketa e ardhshme fiskale synon lehtësi për ndërtuesit. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka filluar një konsultim ashtu siç referohet edhe ne ligjet fiskale dhe në buxhet, për paketën e re fiskale në potencë në qoftë se do të kemi dhe vendosëm që konsultën e parë ta bëjmë me shoqatën tuaj, edhe për shkak të një kërkese të kahershme që ju keni pasur, që në thelb ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë fiskale, tatimore midis investitorit, ndërtuesit dhe pronarit të tokës.
Në kujtesën tuaj ka qenë një debat i kahershëm, ku ju keni filluar ta ngrini si çështje dhe shqetësim që në vitin 2008. Është një porosi e Kryeministrit që konsultimi të fillojë me shoqatat e sipërmarrjes, duke filluar nga shoqata juaj, shoqatat e biznesit të vogël, me dhomat e tregtisë, një konsultë që do të vazhdojë edhe përtej muajit korrik. Besoj në periudhën korrik-gusht do të kemi formatimin e parë të politikës fiskale”, u shpreh Ahmetaj.

Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigji Aleksi, u shpreh për formalizimin fiskal të sektorit. “Na bëhet qejfi që, më së fundi, pas 10 vjetëve një padrejtësi e bërë ndaj ndërtuesve që paguanin padrejtësisht taksën e pronarit të truallit, pra, e paguanin firmat ndërtuese, në një kohë kur fare mirë atyre mund t’u merret në momentin e regjistrimit të pasurisë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Jemi të bindur që ky hap do të formalizohet”, tha Aleksi.
BIZNESI I VOGËL
Ministri Ahmetaj theksoi se prioritet i qeverisë është përmirësimi i klimës së biznesit. Ahmetaj tha se shumë shpejt pritet të lancohen ndryshimet për tatimin në të ardhurat, të cilat do të jenë në favor të biznesit.
“Ka disa vendimmarrje e iniciativa të Kryeministrit që kanë të bëjnë me trajtimin e biznesit të vogël dhe do të lancohen në javët që vijojnë që mund të prekin disa ligje, midis tyre dhe ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Kemi rastin e mirë që pasi të konsultohemi, të arrijmë në një konkluzion dhe ndoshta të përfitojmë edhe nga hapë- sira që do të krijohet për këtë ligj, që të bëjmë ato ndryshime që ne mendojnë se janë të duhura dhe ju keni shumë kohë që i kërkoni. Përmirësimi i klimës së biznesit është kryefjala e qeverisë. Edhe progresraporti i Komisionit Europian e theksonte që ka një përmirësim të klimës së biznesit, por ka ende për të bërë”, u shpreh Ahmetaj. Kreu i Financave foli edhe për uljen e pragut të TVSH-së te biznesi i vogël, ku, sipas tij, deri tani janë kontaktuar 5700 sipërmarrje.