Lënia në burg e 4 kuksianëve/ Reagon Basha: Protesta qytetare do të vazhdojë ndaj regjimit kriminal të Ramës

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të sotëm për lënien nw burg të 4 protestuesve dhe lirimin nga masa e arrestit me burg të 7 prej kuksianëve në Gjykatën e Apelit në Shkodër. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se lirimi i tyre është arritje e rezistencës qytetare. Ndërsa ka bërë apel për lirimin edhe të katër kusianëve që do të vijojnë të qëndrojnë në qeli. Drejtësia sipas tij është gjysmake me kuksianët ende në qeli dhe Saimir Tahirin në Parlament.
“Vendimi i sotëm për lirimin nga arresti të 7 prej kuksianëve të grabitur nga shtëpitë e tyre me urdhër të Edi Ramës, është arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve.
Por kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në parlament.
Ky është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera.
Ndaj protesta dhe qëndresa qytetare do të vazhdojë. Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të populli”, shkruan Basha.
Spaho e Mehmetaj: Gjyq politik, drejtësia në dorë të Ramës
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër për rishikimin e masës së arrestit me burg për 11 kuksianët e arrestuar, kanë reaguar përpara kamerës së Fax Neës dy prej deputetëve të opozitës.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, dhe deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj kanë thënë se me vendimin për të lënë pas hekurave të katër prej të arrestuarve kuksianë, drejtësia ka treguar se është e kapur dhe se ky ishte nje vendim politik.
“Gjyqi politik vijon me lënien në burg të protestuesve kuksianë. Drejtësia është e kapur në duart e kryeministrit Edi Rama”, tha deputetja Mehmetaj.
“Kjo është një drejtësi plotësisht e kapur. Do të bëjmë të pamundurën për të liruar kuksianët e pafajshëm”, tha Spaho.

Avokati Goxhaj: Reforma në Drejtësi vdiq!
Pas vendimit të gjykatës për të lënë në burg katër nga 11 kuksianët e arrestuar, avokati Altin Goxhaj është shprehur për Fax Neës se gjykata sot certifikoi vdekjen e Reformës në Drejtësi.
Më tej avokati u shpreh se Kryeministri Edi Rama procesin e Vettingut, po e bën duke qenë kryeprokuror, kryegjyqtar dhe kryepolic njëkohësisht.
“Gjykata e Apelit në Shkodër, tregoi sot se gjithë gjykatësit në gjithë Shqipërinë kanë frikë nga Vettingu sepse Edi Rama e përdor vettingun si kamzhik.
Kjo është Reforma në Drejtësi e Sorosit. Provat dhe faktet ishin njësoj për të gjithë. Gjykata e mori provën që i dhamë, e futi në dosje por nuk e mori në shqyrtim.
Ne që sot do të nisim ankimin në Gjykatën e Lartë.
Ditën e hënë do fillojmë nga puna për kallëzim penal të të gjithë prokurorëve e gykatësve të përfshirë në këtë paligjshmëri, bashkë me Edi Ramën e Fatmir Xhafën.” – ka paralajmëruar avokati Goxhaj.
Gjykata lë në qeli katër protestues, lirohen shtatë të tjerë
Gjykata e Shkodrës ka marrë vendimin për të lënë në burg katër prej protestuesve të Kukësit. Gjykata e Apelit ka lënë në qeli shtetasit Elton Cengu, Florin Onuzi, Shkëlqim Vata dhe Vasil Laccin, për protestën e zhvilluar pak javë më parë në Kalimash, kundër tarifës në ‘Rrugën e Kombit’.
Shtatë prej të arrestuarve të tjerë janë të lirë dhe u është caktuar masa e ‘detyrim paraqitje’.
Vendimi i gjykatësve ka shkaktuar irritim jashtë ambienteve të institucionit ku familjarët e të arrestuarve e kanë konsideruar të turpshëm dhe kanë kërkuar lirimin e protestuesve.
Vendimi:
Elton Cengu – Mbetet në qeli
Florin Onuzi – Mbetet në qeli
Vasil Laçi – Mbetet në qeli
Shkelqim Vata – Mbetet në qeli
Shpëtim Toda – Pushohet hetimi
Xhevahir Hereni – Detyrim paraqitje
Edmond Matmuja – Detyrim paraqitje
Ervis Oruçi – Detyrim paraqitje
Rasim Onuzi – Detyrim paraqitje
Abdi Haziraj – Detyrim paraqitje
Xhevahir Gashi – Detyrim paraqitje