Doshi i ndërpret fjalën e Ramës: Po ti a do ta bash vettingun?

Edi Rama ishte duke folur për çlirimin e drejtësisë nga të korruptuarit, për ndëshkimin e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar dhe për ndëshkimin e politikanëve të korruptuar, kur nga salla e parlamentit u dëgjua thirrja e Tom Doshit: “Po ti a do ta bash vetingun?”.
Në videon më poshtë, shkëputur nga fjalimi i Edi Ramës në parlament dallohet që kryeministri menjëherë ndryshon temën e fjalimit, duke kaluar tek ekonomia, si shpëtim për sulmin e deputetit shkodran.
“Nga ana tjetër është me fort rëndësi të theksohet se në këtë fazë të re siç ka ndodhur me të gjitha vendet, vendi fiton një fuqi të re tërheqëse në aspektin e zhvillimit ekonomik” vazhdoi të thotë Rama pas pyetjes që i drejtoi Tom Doshi. U duk se kryeministri kaloi në retorikën për nxitjen e investimeve të huaja, rritjen e punësimit etj, kur pa si u acarua Doshi, kur ai fliste për të korruptuarit.
Pak ditë më parë Tom Doshi, një mbështetës i hershëm i Edi Ramës u shpall “non grata” nga ambasada amerikane pasi Departamenti i Shtetit pretendon se ka të dhëna për përfshirjen e tij në çështje të mëdha korrupsioni. Acarimi i deputetit shkodran, mund të interpretohet si shenjë se Tom Doshi fajëson Edi Ramën për këtë vendim të ambasadës amerikane.