“Nëse kuksianët nuk lirohen nesër, të gjithë do të arrestohemi!”, deklarata e fortë e aktivistit të shoqërisë civile

Aktivisti i shoqërisë civile, Besian Pesha ka folur në studion e Fax News për protestën e sotme të organizuar nga Këshilli Bashkiak i Durrësit në mbështetje të lirimit të 11 kuksianëve të burgosur.
Në fakt, kjo protestë e sotme u zhvillua një ditë para vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkodër për fatin e mëtejshëm të 11 të arrestuarve.
Pesha tha se është kërkesë e panegociueshme ndaj qeverisë që qytetarët e Kukësit të lëvizin pa pagesë në Rrugën e Kombit.
“Protesta e sotme ishte thirrje drejtuar Gjykatave, Prokurorisë, të gjithë atyre njerëzve që nesër kanë në dorë fatin e 11 protestuesve që ndodhen në qeli.
Meqënëse qeveria e ka pranuar fajin që nuk u konsultua më përpara me banorët e zonës për vendosjen e tarifës atëherë të ulet e të bisedojë me ata 11 protesutes dhe t’i lejojë të shkojnë në shtëpi pranë familjeve.
Kemi parë si i gjithë procesi i arrestimit të tyre ishte i jashtëligjshëm dhe këtë e ka thënë sot edhe Avokati i Popullit”, tha aktivisti Pesha.
Besian Pesha u shpreh se protestuesit nesër duhet të lirohen në të kundërt, do të lindë një ngërç shumë i madh me besimin tek Reforma në Drejtësi. Pesha tha se ky është një gur prove për ata gjyqtarë.

besianpeshaNjerëzit në Shqipëri janë shumë të qartë për atë që ka ndodhur dhe kanë vendosur të reagojnë.
“U dha edhe një mesazh shumë i fortë në fund nga njëri prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak, një mesazh që u aprovua nga e gjithë turma që, nëse ata nuk lirohen nesër, atëherë do të arrestohemi të gjithë ne.
Unë nuk e di si do të shkojë më tej puna pasi qeveria është duke iu kanosur me mjetet e dhunës më të varfërve në favor të më të fortëve.
Ndërkohë që kur kemi bërë kontratën sociale të shtetit, kemi thënë që shkopat e gomës dhe prangat do të përdoreshin për të mbrojtur më të dobëtit nga më të fortit.
Nuk mund ta përdorësh shtetin për të dhunuar një të varfër si zoti Bajraktari dje që shet cigare dhe fiton 5 mijë lekë në ditë, sepse kjo është e tmerrshme. Ky është krim”, theksoi Aktivisti.
Pesha i bëri apel sistemit të drejtësisë duke thënë se nesër gjykata ka një rast të artë që të rikthejë besimin e qytetarëve tek gjyqësori.
“A do t’u lindë një fije shprese për gjyqësorin qytetarëve nesër aop do t’u shuhet edhe fija e fundit? Kushdo që shkon nesër në mbështetje të kuksianëve bën një akt të vërtetë patriotik”, tha Pesha.