Të gjithë duan të ikin! Shqiptarët, azilkërkuesit më të mëdhenj

Pavarësisht masave shqiptarët mbeten ende grupi më i madh i azilkërkuesve në vendet e BE. Në rekomandimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë kjo është një nga cështjet kryesore në kapitullin për politikën e vizave, Raporti evidenton me shifra se në fund të 2017 dhe fillim të 2018 ka pasur një numër të lartë personash të deportuar në Shqipëri nga vendet e zonës Shengen, por pavarësisht kësaj numri i shqiptarëve që qëndrojnë ilegalisht në vendet e BE mbetet më i larti krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.
Raporti evidenton se në janar dhe shkurt të këtij viti, mbi 3307 shqiptarë nuk u lejuan të dalin nga kufijtë shqiptarë për t’iu drejtuar vendeve të BE-së dhe numri është në ulje krahasuar me 12 mijë shqiptarë që iu refuzua dalja në 2017. Shqetësim mbetet numri i fëmijëve të pashoqëruar dhe sipas raportit rezulton të jetë 1600.
Të dhënat e policisë shqiptare flasin se nga janari i këtij viti, deri në ditët e sotme 246 fëmijë, shqiptarë që nuk kanë qenë të shoqëruar, nuk janë lejuar të kalojnë në Bashkimin Europian.
Vetëm në Itali ndodhen 1655 të mitur shqiptarë që presin në qendrat e strehimit.
Policia shqiptare ka proceduar 11 prindër që kanë braktisur fëmijët. Përsa i përket azilit, raporti thekson se vetëm në janar të këtij viti, 720 shqiptarë aplikuan në Francë dhe 300 në Gjermani, duke ruajtur gjendje të pandryshueshme me vitin e kaluar.
Ndërsa në vitin e kaluar, 25.528 shqiptarë kërkuan azil në Europë. Policia shqiptare, nga ana e saj, ka marrë masa për të forcuar kufijtë dhe nga janari deri 10 prill të këtij viti ka ndaluar 700 persona që tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.
Raporti i KE nuk bën vetëm evidentimin, por edhe adresimin për zgjidhjen e këtyre fenomeneve dhe parandalimin e tyre. Kështu raporti i sugjeron Shqipërisë të vazhdojë me forcimin e përpjekjeve për të trajtuar fenomenin e kërkesave për azil si dhe duke analizuar situatën ekonomike në të cilën jetojnë të kthyerit, për ti mbështetur ata nga gjendja social ekonomike.