Ballina Kryesore Raporti i BE nxin Ramën për koncesionet dhe inceneratorët: Do t’u kushtojnë...

Raporti i BE nxin Ramën për koncesionet dhe inceneratorët: Do t’u kushtojnë shqiptarëve 230 miliardë lekë

Qeveria shqiptare habiti ekspertët mjedisorë disa vite më parë, kur pa pritur dha një kontratë koncesionare me propozim të pakërkuar për ndërtimin e një incerneratori në Elbasan. Habia konsistonte në faktin që strategjia kombëtare për menaxhimin e mbetjeve urbane nuk parashikonte nevojë për ndërtimin e incerneratorëve si një mënyrë për zvogëlimin e volumit të mbetjeve. Strategjia, e miratuar vite më parë, vlerësonte se grumbullimi i duhur dhe rritja e shkallës së riciklimit të mbetjeve i mjaftonin një vendi të vogël si Shqipëria për të menaxhuar mbetjet për dekadat e ardhshme, kryesisht për shkak se prodhimi i mbetjeve në vend është i ulët, i kushtëzuar nga niveli i ulët ekonomik si dhe nga fakti se zvogëlimi i volumit të mbetjeve me djegie është forma më e kushtueshme e menaxhimit të problemit.
Por qeveria jo vetëm që dha ndërtimin me koncesion të një inceneratori në Elbasan, që do t’i kushtojë shqiptarëve 3.3 miliardë lekë nga taksat e tyre, por vijoi me planet për të ndërtuar, sërish me koncesion, një incernerator në Fier dhe një tjetër, shumë të madh dhe të kushtueshëm, në Tiranë. Nëse do të ndërtohet, incerneratori i Fierit do t’i kushtojë taksapaguesve 4 miliardë lekë ndërsa ai i Tiranës, mund t’i kushtojë taksapaguesve rreth 16 miliardë lekë, për një total prej mbi 23 miliardësh (ë reja) ose afro 176 milionë euro.
Por ka vetëm një problem: incernetatorët kanë dalë nga moda dhe përdorimi i tyre po diskurajohet në shumë vende për disa arsye praktike: e para, incerneratorët janë në konflikt me riciklimin, metoda e parapëlqyer e menaxhimit të mbetjeve, si për shkak të kostos ekonomike më të ulët ashtu edhe për shkak të përfitimeve mjedisore më të larta. E dyta, incerneratorët janë të kushtueshëm, forma më e kushtueshme e menaxhimit të mbetjeve që bota njeh aktualisht.

Bashkimi Europian e bëri të qartë këtë me një fjali të shkurtër në Raportin e Progresit të Shqipërisë të publikuar të martën:
“Ndërtimi i një incerneratori në Elbasan, i cili filloi të operojë vitin e kaluar dhe planet për investime të mëtejshme në incerneratorë përbëjnë një shqetësim në termat e respektimit të parimeve të BE-së për shkak se groposja dhe incernerimi janë opsionet më pak të pëlqyera të menaxhimit të mbetjeve.” [Link Raporti i Progresit]
Raporti në kapitullin e mjedisit e konsideron Shqipërinë një vend me “nivel të ulët të përgatitjes” për anëtarësim ndërsa vlerëson se ecuria nga raporti i fundit i progresit i publikuar më 2016 është “e pakët”.
Shqipëria, thotë raporti, nuk ka instrumentet e nevojshme ekonomike për të promovuar riciklimin e mbetjeve në vend të groposjes apo djegies së tyre, ndërsa vlerëson se kriteret për dhënien e lejeve mjedisore për ndërtime hidrocentralesh apo resortesh turistike në zonat e mbrojtura nuk janë në përputhje me rregullat e BE-së.
Qeveria shqiptare është kritikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore për praktikën e dhënies së koncesioneve, veçanërisht koncesioneve të pakërkuara siç është rasti i incerneratorëve, për shkak se sipas FMN-së, “kapacitetet e qeverisë për të vlerësuar kostot dhe përfitimet” e koncesioneve janë “të pamjaftueshme” për të garantuar se këto koncesione janë në përputhje me interesin publik. Qeveria ka refuzuar të dëgjojë këto këshilla deri tani. Por planet e saj për ndërtimin e incerneratorit të dytë në fshatin Verri të Fierit kanë hasur kundërshtimet e ashpra të banorëve të zonës.

Kryeministri Rama ka deklaruar se dëshiron të bindë banorët e Fierit se projekti i incerneratorit “nuk sjell ndotje, por ky projekt sjell ekonomi, sjell punësim, sjell zhvillim.”
Gjithsesi, siç shkruhet edhe në Raportin e Progresit, banorët e fshatit Verri nuk janë të vetmit që mendojnë se incerneratori është vetëm një gjë e mirë.
Aktualisht Shqipëria nuk ka një sistem “të integruar” për menaxhimin e mbetjeve urbane. Një pjesë e madhe e territorit të vendit nuk kanë fare sistem grumbullimi të mbetjeve ndërsa proceset e riciklimit pothuajse nuk ekzistojnë në mënyrë të organizuar. Megjithatë, një pjesë jo e vogël e mbetjeve, veçanërisht metaleve, plastikës dhe letrës, të cilat kanë një vlerë relativisht të lartë tregtare, riciklohen falë punës së shtresave më të varfra të shoqërisë. Incerneratorët rrezikojnë të dëmtojnë pikërisht riciklimin e letrës dhe plastikës, pasi janë dy llojet e mbetjeve që mund të digjen në këto impjante. Llojet kryesore të mbetjeve si qelqi, nuk digjen në incerneratorë ndërsa mbetjet organike janë shumë të kushtueshme për t’u djegur për shkak të përmbajtjes së ulët energjetike që kanë.

Exit mobile version