Rama kërkon ushtarë amerikanë për kontratat e tij me partnerë rusë!

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka kërkuar vendosjen e ushtarëve amerikanë në Shqipëri për të luftuar ndikimin e vendeve si Rusia në rajon.
Sipas AFP-së, Ministrja Xhaçka gjatë një takimi në pentagon me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis, tha se Shqipëria vend anëtar i NATO-s dëshiron të luftojë kundër përpjekjeve të Rusisë, përfshi propagandën dhe investimet për “destabilizimin” e rajonit.
“Duhet një mesazh i fortë për të treguar se Ballkani Perëndimor është një rajon i orientuar drejt perëndimit dhe ne të gjithë kemi nevojë të mbrojmë të njëjta principe dhe vlera, dhe të përpiqemi të forcojmë partneritetit tonë strategjik,” ka pohuar Xhaçka.
“Ju mund të mbështeteni tek ne si një aleat shumë i besuar… Shqipëria mund të jetë një bastion i fortë për SHBA-të në rajon. Ne besojmë se është pjekur koha për vendosjen e pranie të SHBA-ve në Shqipëri”, ka shtuar ministrja.
Zonja Xhaçka nuk ka dhënë detaje se çfarë propozon ajo që duhet të bëjnë ushtarët amerikanë në Shqipëri kundër propagandës dhe investimeve ruse, por kërkesa e saj nënkupton që qeveria shqiptare ndjehet e pafuqishme për të përballuar ndërhyrjet e pretenduar ruse.
Gjatë dy viteve të fundit qeveria Rama ka rritur retorikën e saj për një rrezik rus në Shqipëri dhe nevojën për ndalimin e tij. Por në mënyrë ironike, pavarësisht kësaj retorike, qeveria Rama ka qenë në negociata aktive me disa kompani strategjike ruse për futjen e tyre në Shqipëri. Mes tyre është kompania Gunvar, e themeluar nga një oligark në listën e sanksioneve amerikane, të cilën Kryeministri Rama pranoi që e ka pritur në zyrën e tij; kompania Jeremex, agjenti tregtar i Gazpromit në Europë, me të cilën Ministri Damian Gjiknuri ka zhvilluar negociata në Shën Petersburg për dhënien në shfrytëzim të disa vendburimeve të naftës.
Ndërkohë që kompania turke Cengiz Construction, e cila do të ndërtojë aeroportin e Vlorës është partnere në projekte të ndërtimit të centraleve bërthamore me një kompani shtetërore ruse.
“Exit.al”