Dosjet e Sigurimit, ata nuk verfikojnë asgjë

Nga Kastriot DERVISHI

Autoriteti e ka bërë zakon që të gjezdisë lloj-lloj njerëzish në depon kryesore të Arkivit të MB-së. Nuk e di sa i ka habitur të vizitorët me gjendjen e infrastrukturës dhe sa e ka kuptuar kotësinë e ekzistencës së tij dubluese ndaj organit që meriton ligjërisht çdo investim prej shtetit.
Herë pas here, për arsye të panjohura, Autoriteti e ka futur veten mes kontradiktave të shumta duke çorientuar publikun në çdo gjë që thotë. Populli ynë nuk do muhabete shumë të gjata. Ai ka fiksuar dy gjëra: sa dosje bashkëpunëtorësh dhe sa të ndjekurish ekzistojnë; sa persona gjallë janë prej tyre. Në vend të këtyre shifrave u futën lloj-lloj metodologjish me numër fletësh, kartelash, etj. Le të ndjekim disa shembuj.
Për gazetën “Politika”, datë 24.2.2017 kryetarja e Autoritetit thotë se administronte 212.000 dosjet “të ndryshme” të ish-sigurimit, 250.000 kartela individuale, rreth 15.000 dosje hetimore gjyqësore (!!!!, gjykata qenka sigurim), 21.000 dosje të personave të ndjekur nga sigurimi, disa mijëra regjistra (!!!!, në fakt janë qindra), procesverbale aktesh normative (këta qëndronin pa dosje????), duke përbërë 32 milion faqe. Mirëpo, nuk kaluan as disa javë, kur më 11.4.2017, në një intervistë për “Ora Neës”, kryetarja e Autoritetit tha se deri atë moment ishin “gjetur” 20 milion faqe. Pasi u ulën 12 milion faqe, në një intervistë tjetër të datës 10.7.2017 për “Albanian Free Press”, kryetarja iu rikthye sërish shifrës së 32 milionëve fletëve.
Sikur të mos mjaftonin këto çoroditje, një zmadhim spektakolar u pa në një dokumentar të “A1 Reportit” (shih bashkëlidhur), i cili u shfaq më 7.12.2017 kur zyrtarë të Autoritetit raportuan shifrën e 130.000 dosje bashkëpunëtorësh, pra më shumë sa numri hipotetik i tyre.

Në këtë mënyrë jepet përshtypja sikur jemi në ndonjë bursë në të cilën lëviz kursi sipas zhvillimeve të ndryshme. Por nga raporti del se në të dy arkivat ndodhen vetëm 12.375 dosje bashkëpunëtorësh (10.733 plus 1.642). Ndërsa po kaq vlerësohet të jetë numri i dosjeve të personave të ndjekur. Duke pasur parasysh historikun e diktaturës komuniste, numri i këtyre dosjeve paraqitet shumë i vogël në krahasim me atë që ka qenë.
Në raportin zyrtar del qartë shifra që unë kam thënë më parë se fondi operativ (bashkëpunëtorë dhe të ndjekur) është rreth 25.000 dosje dhe i takon në pjesën dërrmuese personave që nuk jetojnë më.
Një nga “arsyet” e thëna kur u formua Autoriteti ishte përsëritja e shpeshtë e “argumentit” se do u mundësohej personave të ndjekur leximi i dosjes së tyre. Kjo e drejtë asnjëherë nuk ka qenë mohuar, por bëhej shqetësim vetëm për dosjet që SHISH pat tërhequr nga Arkivi i MB-së në mënyrë të paligjshme në vitin 1993, si dhe nga mosdeklasifikimi i tyre nga ky institucion.
Nga raporti del se Autoriteti ka pranuar 280 kërkesa. Nga këto nuk saktësohet asgjë se sa persona që jetojnë lexuan dosjen e tyre. Për çudi të madhe, hartohet një raport me 84 faqe me detaje të panevojshme, ndërsa kur vjen puna te informacioni kryesor, kjo e dhënë mungon.
Nga praktika kemi vërejtur se Autoriteti ka ndjekur rrugën e përgjigjeve të kundërta me kërkesat. Personave të interesuar u ka vënë përpara me pahir dosjen hetimore-gjyqësore, pavarësisht se kjo nuk kërkohej.

Thënë ndryshe, shifra e personave që jetojnë e që kanë qenë ndjekur nuk është më e madhe se 10. Pra gjithë ky harxhim financiar, paska qenë për 10 vetë? Është kjo shifër sepse dihet që shumica e dosjeve formularë janë asgjësuar.
Verifikimet
Për mua nuk ka qenë e papritur ajo që deklaroi anëtari i Autoritetit Daut Gumenise ata “nuk verifikojnë asgjë”. Kjo sepse mjeti bazë i verifikimit të figurave nuk janë dosjet, por regjistri elektronik i agjenturës. 99.99% e verifikimit ndodh në kushte tavoline, pa asnjë kërkim. Shqetësimi i vetëm i Autoritetit është të gjejë ndonjë ish bashkëpunëtor të parëndësishëm të Sigurimit, ndërsa as guxon t’i zërë me gojë oficerët e Sigurimit, të cilët Enver Hoxha i ka quajtur “punëtorë partie …e asgjë më shumë”. Për hir të së vërtetë, te rasti i këtyre oficerëve, Autoriteti nuk ka asnjë bazë të dhënash. Çështja e tyre i takon institucioneve të tjera dhe roli i Autoritetit mund të ishte vetëm moral. Megjithatë nuk dihet asnjë deklaratë e Autoritetit kundër oficerëve në fjalë. Oficerët e SHISH-it dhe të policisë që kanë qenë ish oficerë të sigurimit kanë dosje personale, në të cilat ndodhet i vendosur edhe shkollimin e tyre. Këto të dhëna janë edhe elektronike në institucionet përkatëse. Nuk ka nevojë të na lodhet Autoriteti kot, pasi oficerët në fjalë janë brumi dhe gjaku i kësaj shumice parlamentare. Ata vijojnë të jenë drejtorë në Policinë e Shtetit, SHISH, shërbimin diplomatik, administratë, gjyqësor.
Bashkëlidhur shifrat e raportuara në “A1 Report” më 7.12.2007 dhe pjesë nga raporti zyrtar I Autoritetit. Gjithkush mund të shquajë dallimet e mëdha midis shifrave