SHBA e shpall non grata, reagon Doshi: Ata po akuzojnë Trumpin jo më mua

Tom Doshi ka reaguar pas publikimit të lajmit se Departamenti Amerikan i Shteti i ka ndaluar atij dhe familjes së tij hyrjen në SHBA. I kontaktuar nga “BalkanWeb”, deputeti Doshi është shprehur se nuk ka dijeni për një vendim të tillë, ndërsa sqaron edhe rastin kur ka aplikuar për vizë amerikane.
“Nuk kam dijeni për këtë vendim. Mua nuk më ka ardhur një vendim i tillë. Gruaja ime dhe fëmijët e mi kane pasaportë australiane. Ndërsa unë kam patur vizë amerikane, por më ka skaduar. Në momentin që kam aplikuar sërish për vizë, më kanë kërkuar dokumente nga prokuroria. Por duke qenë se në atë kohë isha në hetim nuk çova dokumente shtesë, dhe viza mbeti pezull”, shprehet Doshi.
Në artikullin e publikuar thuhej se, “në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë”.
Në përgjigje të kësaj, deputeti Doshi tha se “Në jetën time nuk kam firmosur asnjë dokument po të duan të ma vërtetojnë korrupsionin”.

Departamenti i Shtetit i ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij.
Pas ish kryeprokuorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni, raporton ‘Zëri i Amerikës’.
Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur, nuk lejohen të hyjnë në Amerikë.