Raporti/ Si e shkëmbejnë trafikantët turq heroinën me “hashash shqiptar”

Heroina e bosëve turq po shkëmbehet me hashashin e trafikantëve shqiptarë. Këtë konkluzion e bëri publik policia greke, e cila theksoi në raportin për vitin 2017, se Shqipëria është prodhuesi nr 1 i hashashit në Europë.
Trafikantët e mëdhenj të heroinës në Turqi kanë shkëmbyer drogën afgane me hashashin e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar. Ky nuk është tashmë dyshim i disa mediave shqiptare, por një konkluzion zyrtar i Policisë Greke në një raport për trafikun e drogave vitin e kaluar.
Gazeta më e madhe në shtetin fqinj, “Kathimerini”, shkruante se në raportin vjetor të vitit 2017, Policia greke theksonte se ishte vërejtur një rritje e ndjeshme e sekuestrimeve të kanabisit të papërpunuar, me origjinë nga Shqipëria.
Greqia është vend tranzit për heroinën e prodhuar në Azi dhe tregtohet në Evropë nga “Boshti i Jugut të Ballkanit” dhe vitin e kaluar është konfirmuar se heroina në Turqi shkëmbehet me kanabisin shqiptar.
Si referencë e veçantë është dhënë konfiskimi i 6 tonëve kanabis në jug të Kretës e përvec drogës, shqiptarët dominonin edhe në vepra penale si grabitje dhe trafik të qenieve njerëzore.