Paloka: Nuk do të ketë qetësi për Ramën derisa qytetari i fundit i Kukësit të lirohet

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka, ia ka drejtuar disa pyetje sot ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, që deklaroi se do të luftonte krimin e organizuar dhe kokat e trafikut. Paloka duke i përrmendur emra konkretë, kërkoi përgjigje konkrete.
“Jam sot këtu, për të ritheksuar edhe një herë, denoncimin që Partia Demokratike ka bërë që natën e rrëmbimit të qytetarëve të Kukësit, nga policia dhe prokuroria politike e Edi Ramës.
Kemi bërë edhe në raste të tjera denoncim me prova dhe fakte, por sot kemi disa prova që tregojnë qartazi se kuksianët, qytetarët e Kukësit, janë rrëmbyer nga shtëpitë e tyre në kundërshtim me ligjin dhe me të drejtat  e njeriut, në mes të natës, në mënyrën më shtazore që mund të bëhet, ku asnjë shtet kriminal apo diktatorial nuk mund ta bëjë.
Nuk u mjaftuan me kaq.
Pas këtij akti, prokuroria e cila është në duart e Edi Ramës, guxoi të falsifikojë orën se kur qytetarët e Kukësit u rrëmbyen.
Në pamje shihet data dhe ora 02.54, kur forcat e Fatmir Xhafës si banditë të maskuar, janë sulur dhe kanë rrëmbyer në shtëpitë e tyre qytetarët e Kukësit.
Rrëmbyen ata qytetarë që protestuan për një të drejtë themelore të tyre, rrëmbyen ata qytetarë që protestuan për bukën e gojës dhe guxuan ta bëjnë këta, që sot dalin nëkrahë të kriminelëve dhe banditëve.
Nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën, derisa qytetari i fundit i Kukësit të lirohet.
E keni ndjekur të gjithë kur tha, se fajtori për atë që ndodhi, ishte Edi Rama. E pranoi me gojën e tij.
Por të marrë peng, të grabitur, ndodhen qytetarët e Kukësit, që përveçse janë të pafajshëm, janë rrëmbyer, në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat e njeriut.
Në çdo vend tjetër demokratik do të mjaftonte shkelja e këtyre të drejtave që u bëhet, jo vetëm qyetarëve të Kuësit që janë krejtësisht të pafajshëm, por edhe në rastet kur janë fajtorë, arrestohen në këto forma, në vendet demokratike lirohen.
Të jetë i bindur Edi Rama, se ne si opozitë në çdo moment do të vazhdojmë të jemi në krahë të qytetarëve kuksianë.
Të atyre që protestuan në të drejtën e tyre dhe sidomos atyre që mbahen sot padrejtësisht në burg.
Derisa dhe i fundit prej tyre të lirohet, nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën.
Qëndrimet tona, jo vetëm në Parlament, do të jenë të lidhura me drejtësinë ndaj qytetarëve të Kukësit.
Sot Xhafa ka dalë me paturpësi të flasë për luftën kundër krimit.
Është gjë e mirë që, pas 5 vjetësh në pushtet, qeveria thotë se ka skeduar grupet kriminale dhe do t’i godasë, por ky është një film i parë 5 vjet më parë.
Atëherë u premtua se brenda 300 ditëve do të vendosej rendi dhe siguria, krimi do të shtypej, por ajo që ndodhi ishte kanabizimi i vendit dhe një Ministër i Brendshëm që ishte në krye të trafikut të drogës, dhe për fat të keq në vend që të ishte në burg, ai dhe jo kuksianët, bredh i lirë dhe po bëhet gati të na mbajë edhe fjalime në Parlament.

Sot, Fatmir Xhafaj duhet të japë përgjigje:
A e ka skeduar të vëllain Agron Xhafaj, të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar kokaine dhe aktualisht është një nga kokat e trafikut të drogës në Vlorë?

A e ka skeduar grupin e kokainës të Arbër Çekaj, të drogës kolumbiane, ku bën pjesë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit?

A e ka regjistruar grupin e Qazim Sejdinit dhe dhëndrit të tij në Elbasan, ku përfshihet edhe kompania e gruas së Sejdinit, që është nën hetim për trafik droge? Sot ishte në krahë të tij.

A i ka regjistruar grupet kriminale të Durrësit, të lighura me Vangjush Dakon?

Këto Fatmir Xhafaj duhet t’ bëjë publike dhe t’i kërkojë çdo qytetari që të ndihmojë, nëse vërtetë do që të luftojë krimin e organizuar në Shqipëri.

I bëj thirrje Edi Ramës, të lirojë qytetarët e pafajshëm të Kukësit dhe të arrestojë kriminelët duke filluar nga i vëllai që është i lidhur me trafikun e drogës, tek Sajmir Tahiri dhe të gjithë kriminelët e tjerë me rradhë.