Thirrje qytetarëve të Tiranës: Bashkohemi nesër në protestë

Nisma “Thurje” i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës të protestojnë nesër nga ora 12.00 kundër Ramës që e ka kthyer Shqipërinë në një bankë të një grushti njerëzish.
“Kryeministri Rama, mbas rrugës Durrës-Kukës ka vendosur të japë me konçesion edhe akset e tjera rrugore. Ky nuk është fillimi por vazhdimi i një serie konçesionesh të cilat i vendosin pasuritë, shërbimet dhe pronat publike në funksion të kompanive private duke u garantuar atyre edhe fitimin.
Kur qytetarët me të drejtë reagojnë, si në Kalimash, duke refuzuar këtë politikë ata përballen me gjuhën e arrogancës dhe dhunën policore.
KJO DUHET TË MARRË FUND!
Ditën e shtunë, në orën 12:00, takohemi të gjithë te Parku Rinia për të marshuar drejt Kryeministrisë e për ti dhënë një mesazh të fortë Kryeministrit se ne nuk jemi dakord. Se Shqipëria nuk i përket një grushti të pangopurish por të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Se zgjidhja nuk është dhuna, arrestimet dhe arroganca por dialogu, transparenca dhe qeverisja me qytetarët duke i pyetur e përfillur mendimet dhe hallet e tyre.
Nuk ka rëndësi nëse je i majtë, i djathtë apo pa bindje politike.
Nuk ka rëndësi nëse je nga Kukësi apo nga Saranda, nga Dibra apo nga Korça. TË GJITHË PAGUAJMË NJËSOJ! E nëse nuk bashkohemi, do të paguajmë edhe më shumë.
Nëse nuk reagojmë, Atdheun që na e lanë trashëgim të parët tanë, nuk do jua lëmë dot trashëgim fëmijëve por një grushti politikanësh e biznesmenësh pranë tyre.
KUSHDOQOFSH, bashkohu të shtunën në orën 12:00.
Jo për Partitë, jo për Kryetarët por për veten tënde, për familjen tënde, për Shqipërinë tonë!”, thuhet në reagimin e Nismës “Thurje”.