Lefteri lë qelinë dhe kthehet në shtëpi, gëzimi i të miturit kur takoi babain (Foto)

Servete Rexhmati udhëtoi mëngjesin e kësaj të mërkure nga Kukësi bashkë me djalin e saj të mitur.
Dy vajzat, njëra e paralizuar i la nën kujdesin e të afermve. Ajo priti 9 orë para Gjykatës së Tiranës me shpresën se burrin e saj do e lironin. Pritja e gjatë u shpërblye. Gjykatësja e Kukësit dha vendimin për të liruar Lefter Rexhmatin.
Policia e shoqëroi të arrestuarin në Drejtorinë e Policisë dhe pritja aty ishte më e shkurtër, i arrestuari në protestat e Rrugës së Kombit mori vendimin e lirimit.
Ai duhet të paraqitet rregullisht para prokurorit deri sa të dalë në gjyq.
Pritja e gjatë nuk e ka lodhur as të birin e mitur, i cili gëzon kur takon të atin. Lefteri doli të protestonte, sepse siç i tha Top Channel gruaja e tij, i duhej të paguante 22 euro në ditë, ose 900 mijë lekë në muaj, sepse punonte shofer furgoni për transportin e udhëtarëve nga Kukësi në Tiranë.
“Jam shumë i lumtur që jam pranë familjes. Vendimi i gjykatës, edhe i drejtë edhe i padrejtë. Do të vazhdoj aktivitetin tim. U ngritëm në protestë kundër asaj takse”, thotë Lefteri.
Protestuesi u nis në Kukës pranë vajzave të tij, por sërish do të duhet të paraqitet në Gjykatën e Tiranes, kur procesi ndaj tij dhe 23 të tjerëve do të rifillojë.

Rrfimi i gruas për terrorin policor: Si ma rrëmbyen burrin në 3:30 të natës
Një nga të arrestuarit e protestës së 31 marsit në Kalimash është edhe Lefter Rexhmati. Familja e tij ka 5 vjet që jeton në Kukës. Poshtë pallatit është furgoni i Lefterit. Ai punonte prej tre vjetësh duke bërë transport udhëtarësh Kukës-Tiranë, një rrugë në ditë. Lefterit i duhej të paguante 22 euro në ditë sipas tarifave të vendosura nga kompania koncesionare.
foto kryesore“I kushtonte 30 mijë lekë Lefterit që të linte tek sporteli që ishte vendosur atje. 1 milionë shkonte në muaj. Ai nuk merr aq dhe si do ta përballonte. Një ditë kishte punë, një ditë jo. Vjen edhe pa lekë në shtëpi, ka sjellë edhe vetëm 1 mijë lekë”, thotë Servetja, gruaja e tij.
Në familjen e Lefterit presin gruaja dhe tre fëmijët. Gresi është 9 vjeç, Andrea 2, dhe vajza e madhe Sihana 12 vjeç, e paralizuar, e shtrirë në krevat në gjendje vegjetative. “U lutem që Lefteri të vijë tek fëmija i vet, boll ta ledhatojë atë, se ajo nuk jeton dot pa ndihmën e babait të vet”, tregon ajo.
Vajza e paralizuar merr pagesë invaliditeti që bashkë me kujdestarinë e të ëmës bëjnë 260 mijë lekë të vjetra në muaj.

“I gjithë Kukësi u ngrit, jo vetëm Lefteri! Lefteri nuk është terrorist. Isha edhe unë me gra të tjera! Lefterin e kam parë vetëm në televizor që ishte me gjak”, rrëfen ajo.
Servetja thotë se, bashkëshorti flinte në furgon nga frika mos ja vidhnin. 44-vjeçarja tregon momentet kur policia erdhi për t’i arrestuar bashkëshortin.
“U ngrita dhe në derë po trokisnin pak në orën 3:30 të mëngjesit. Kur e hapa derën ishte një civil i gjatë që hyri brenda dhe kishte të tjerë të zinj, nuk dukeshin si njerëz. Ishin 7-8 vetë! E arrestuan në makinë”, thotë ajo.
Vajza e paralizuar duhej çuar në spital një natë më parë. “Nuk e çoj dot se është larg dhe nuk di çfarë t’i them shtetit! A ka shtet për ne?!”, rrëfen më tej ajo.
Gruaja është gjithë sy e vesh në televizion për të dëgjuar se çfarë do të bëhet me fatin e bashkëshortit të saj. “Ndjekim lajmet që të shohim se si do të vendoset për këta që u arrestuan jo për politikë, por për ekonomi”, tha ajo.

llllllllllllll