Kukësi, sërish në protestë sot në orën 16:00: “Lironi vëllezërit tanë!”

Qytetarët e Kukësit do të ngrihen sërish sot në protestë në orën 16:00 për të kërkuar lirimin e 23 të burgosurve politikë. Njoftimi është bërë në rrjetet sociale dhe pritet që të grumbullohen mijëra banorë. “Lironi vëllezërit tanë!”, do të jenë thirrjet e protestuesve. Bëhet e ditur se banorët do të kërkojnë largimin e Ramës.
Ndërkohë, në Gjykatën e Tiranës vazhdon séance gjyqësore ndaj 23 të arrestuarve për protestën në Rrugën e Kombit.
Gjatë seancës gjyqësore, 23 protestuesit e arrestuar kanë debatuar me prokurorët Alketa Nushi dhe Edmond Karriqi në Gjykatën e Tiranës. Ata kanë akuzuar prokurorët se gënjejnë lidhur me arrestimet.
“Prokuroria gënjen, nuk jeni arrestuar në mëngjes. Kanë ardhur me maska natën dhe na kanë marrë. Nuk është e vërtetë që jemi arrestuar në orën 10 të mëngjesit, jemi arrestuar në orën 3 të natës. Prokurorja ka falsifikuar librat e hyrjes në komisariat dhe të ndalimit”, janë shprehur ata para trupit gjykues në sallë.
Ahmet Tobi, një nga të pandehurit ka deklaruar: “Më morën nga shtëpia me forcë, jam invalid dhe jam arrestuar në kundërshtim me ligjin”. Për 11 persona prokuroria kërkon masa arrest me burg, për pesë të tjerë kërkohet arrest shtëpie dhe për shtatë qytetarë kërkohet masa detyrim partaqitje.