Familjarët e protestuesve pas gjyqit: Do ta tërheqim zvarrë Ramën

Gjykata e Kukësit e mbledhur në Tiranë la në burg 11 prej protestuesve në rrugën e Kombit.
Pas verdiktit të gjykatës, deputetët e Partisë Demokratike dhe të pranishmit në sallë kanë kundërshtuar në kor duke thjerrë: “turp”, “turp” “turp”.
Reagimi
“Gjykatësja dha vendimin që i ka kërkuar Edi Rama pasi ka kapur ekzekutivin, ekonominë sot kapi edhe gjykatën”,- tha deputeti Edmond Spaho.
Vendimi është cilësuar i padrejtë edhe nga familjarët e protestuesve. Ata thonë se do të vijojnë rezistencën deri sa të lirohet edhe kuksiani i fundit.
“Në burg krimineli do ta tërheqim zvarrë Edi Ramën”,- thotë një qytetar.
Dhuna
Dëshmohet me fakte dhuna policore dhe arrestimet e paligjshme në Kukës të protestuesve në Rrugën e Kombit, në mes të natës. Ndërkohë deputetja e LSI, Silva Caka, e cila po ndjek gjyqin e protestuesve në Gjykatën e Tiranës, shprehet se:
“Xhevahir Hereni, një nga të ndaluarit e protestës në Rrugën e Kombit, nuk ka këpucë! Ndalimi i tij është bërë në orën 3:10 të mëngjesit dhe jo pas orës 10:00 siç pretendon Prokurorja. Për këtë arsye, Xhevahiri nuk ka mundur të veshë as këpucët! Turp!”.

Për të fshehur shkeljet e policisë, që arrestoi në mes të natës protestuesit kuksianë, opozita akuzon se prokurorja e çështjes ndryshoi orën e arrestimeve në dosjen e akuzës, duke fshehur një shkelje të rëndë që kishin bërë policët pas protestës në Kukës. Dhjetëra familjarë të arrestuar denoncuan terrorin e policisë mesnatën e së shtunës duke nxjerrë në pah një shkelje të rëndë të policisë.
Në sallën e gjyqit, protestuesit e arrestuar theksuan edhe një herë se “janë marrë nga krevati me pizhame dhe nuk ishte e vërtetë që ishin arrestuar në orën 10:00 të mëngjesit, përkundrazi ishin arrestuar në orën 03:00 të natës”.
Ahmet Tobi, me dy koronare tha në gjykatë se është marrë nga shtëpia me forcë megjithëse është invalid.
“Jemi marrë në orën 10 të natës. Prokurorja gënjen. Nuk jemi arrestuar në mëngjes. Kanë ardhur me maska dhe na kanë marrë”, ka thënë Ahmet Tobi.
Avokati i tij tha në sallën e gjyqit se kishte folur me prokuroren në telefon mbas 24 orësh. Prokurorja nuk kishte marrë masa, madje kishte gënjyer, duke kryer një vepër penale. I arrestuari Tobi, tha avokati, është keqtrajtuar megjithëse është invalid.