Tabaku: Mirëmbajtja e Rrugës së Kombit mund të mbulohet nga taksa e qarkullimit

“Rrugës së Kombit” i nevojiten vetëm 10 mln euro për mirëmbajtje dhe këto mund të mbulohen nga taksa e qarkullimit”.Kështu u shpreh deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila ka reaguar pas deklaratës së ministrit Damian Gjiknuri për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”. Tabaku u shpreh më tej se: “Ministri dhe Kryeministri gënjejnë kur thonë se, mirëmbajtja e rrugëve ka kosto të papërballueshme për buxhetin e shtetit”.
“Rruga e Kombit” ka 5 vite që nuk mirëmbahet, kërkon një buxhet minimal, kërkon vetëm 10 milionë euro në vit për t’u mirëmbajtur kjo rrugë, ndërkohë që këtë gjë nuk e ka bërë qeveria. Sot përsëri gënjyen shqiptarët dhe u thanë që mirëmbajtja e rrugëve kërkon një shumë jashtëzakonisht të lartë, stratosferike për buxhetin e shqiptarëve. Sot përsëri dhe Rama dhe Gjiknuri gënjyen, duke thënë që ky buxhet është i papërballueshëm dhe duhet ta paguajnë shqiptarët. Qytetarët e Kukësit dhe shqiptarët kanë kthyer përgjigje që tarifa e “Rrugës së Kombit” është e papërballueshme për to”, tha Tabaku.
Deklaratën deputetja Tabaku e ka bërë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku së bashku me qytetarë të shumtë kërkojnë lirimin e të arrestuarve për incidentet e ndodhura gjatë protestës për vendosen e tarifës për “Rrugën e Kombit”.

Kontrata konçesionare për “Rrugën e Kombit”
Kontrata konçensionare për “Rrugën e Kombit”parashikon një kohëzgjatje prej 30 vjetësh, ku për herë të parë për sistemin rrugor shqiptar, parashikohet edhe vendosja e një tarife për kalimin në rrugë nacionale, që varion nga 2.5 euro për motorët, në 22.5 euro për kamionët e rëndë (vetëm për 1 kalim). Në kontratë parashikohet që të përjashtohen nga pagesa vetëm katër lloje automjetesh të shërbimeve të ndryshme: Policia Rrugore (jo mjetet e tjera të Policisë së Shtetit), autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë. Referuar kontratës, sipas kategorive të ndryshme të mjeteve motorike, janë përcaktuar edhe tarifa të ndryshme. Në kontratë vendoset që tarifën bazë 5 euro ta paguajnë autoveturat, mikrobusët dhe mjetet e vogla komerciale.
Sa gjysma e kësaj tarife, 2.5 euro, është pagesa për motorë të ndryshëm. Më pas, “barra” e pagesës sa vjen e ngrihet: 11.25 euro, për autobusët normal; 16.25 euro, për kamionët e mesëm dhe autobusët e rëndë dhe, në fund, 22.5 euro, për kamionët më të rëndë, me katër apo më shumë akse. Ndërkohë, koncesionari, që parashikohet të përfitojë minimalisht 8 milionë euro vitin e parë të konçesionit, deri në 14.3 miliionë euro në vitin e 30-të, ka marrë përsipër të kryejë edhe disa punime, të lëna përgjysmë në këtë rrugë: ndërtimin e një ure të dytë për makinat dhe një për këmbësorë në Kukës, ndërtimin e gjashtë mbikalimeve dhe një rrethrrotullimi, si dhe ndërhyrje për mirëmbajtje në faqet e maleve, tunel, etj. Në rast se konçesionari nuk arrin të ardhurat e parashikuara, atëherë diferenca paguhet nga Autoriteti Kontraktor, pra nga Qeveria.
Por, kontrata konçesionare nuk ka asnjë angazhim për të dyfishuar segmentin nga Miloti në Rrëshen, çka do ta kompletonte “Rrugën e Kombit”me katër korsi në pjesën e saj më të madhe. Ndoshta kjo pritet të bëhet me fonde shtetërore ose me një koncesion tjetër. Gjithashtu konçesionarit i jepet e drejta të krijojë përfitime shtesë përveç tarifës, nga vendpushimet që mund të krijohen në autostradë.