Rrëfimi për terrorin policor: Si ma rrëmbyen burrin në 3:30 të natës

Një nga të arrestuarit e protestës së 31 marsit në Kalimash është edhe Lefter Rexhmati. Familja e tij ka 5 vjet që jeton në Kukës. Poshtë pallatit është furgoni i Lefterit. Ai punonte prej tre vjetësh duke bërë transport udhëtarësh Kukës-Tiranë, një rrugë në ditë. Lefterit i duhej të paguante 22 euro në ditë sipas tarifave të vendosura nga kompania koncesionare.
“I kushtonte 30 mijë lekë Lefterit që të linte tek sporteli që ishte vendosur atje. 1 milionë shkonte në muaj. Ai nuk merr aq dhe si do ta përballonte. Një ditë kishte punë, një ditë jo. Vjen edhe pa lekë në shtëpi, ka sjellë edhe vetëm 1 mijë lekë”, thotë Servetja, gruaja e tij.
Në familjen e Lefterit presin gruaja dhe tre fëmijët. Gresi është 9 vjeç, Andrea 2, dhe vajza e madhe Sihana 12 vjeç, e paralizuar, e shtrirë në krevat në gjendje vegjetative. “U lutem që Lefteri të vijë tek fëmija i vet, boll ta ledhatojë atë, se ajo nuk jeton dot pa ndihmën e babait të vet”, tregon ajo.

Vajza e paralizuar merr pagesë invaliditeti që bashkë me kujdestarinë e të ëmës bëjnë 260 mijë lekë të vjetra në muaj.
“I gjithë Kukësi u ngrit, jo vetëm Lefteri! Lefteri nuk është terrorist. Isha edhe unë me gra të tjera! Lefterin e kam parë vetëm në televizor që ishte me gjak”, rrëfen ajo.
Servetja thotë se, bashkëshorti flinte në furgon nga frika mos ja vidhnin. 44-vjeçarja tregon momentet kur policia erdhi për t’i arrestuar bashkëshortin.
“U ngrita dhe në derë po trokisnin pak në orën 3:30 të mëngjesit. Kur e hapa derën ishte një civil i gjatë që hyri brenda dhe kishte të tjerë të zinj, nuk dukeshin si njerëz. Ishin 7-8 vetë! E arrestuan në makinë”, thotë ajo.
Vajza e paralizuar duhej çuar në spital një natë më parë. “Nuk e çoj dot se është larg dhe nuk di çfarë t’i them shtetit! A ka shtet për ne?!”, rrëfen më tej ajo.
Gruaja është gjithë sy e vesh në televizion për të dëgjuar se çfarë do të bëhet me fatin e bashkëshortit të saj. “Ndjekim lajmet që të shohim se si do të vendoset për këta që u arrestuan jo për politikë, por për ekonomi”, thotë ajo.