Manjani: Taksat caktohen me ligj jo me kontrata konçesionare

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, përmes një komenti në rrjetet sociale shprehet se Kushtetuta në nenin 155 të saj përcakton se taksat, tatimet dhe detyrimet financiare i vendos shteti me ligj, as me vendim dhe as me kontratë me konçesionarin. Në këtë kuadër, Manjani shkruan se kushtetueshmëria e konçesionit në rastin e “Rrugës së Kombit” të paktën është e dyshimtë.
“Taksë apo tarifë, çfarëdo të quhet ajo që filloi të zbatohet në “Rrugën e Kombit”, duhet ta vendosë shteti dhe jo Privati! Këtë gjë thotë Kushtetuta në nenin 155 të saj. Lexojeni dhe do bindeni! Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare i vendos shteti me ligj. As me Vendim e as me kontratë koncesioni, por me ligj!
I vendos shteti dhe jo Privati! Pse shteti? Shteti edhe mund ti ndryshojë për të ndërtuar politika të drejta publike. Privati sheh vetëm interesin e tij, fitimin! Prandaj kushtetutshmëria e këtij Koncensioni është të paktën e dyshimtë! Do ja vlente një gjykim kushtetues i kësaj katrahure. Por kur të kemi Gjykatën Kushtetuese që na e zhduku Rilindja…”, shkruan Manjani.