Kryebashkiaku i Tropojës thirrje Ramës: Liro protestuesit!

Kryetari i Bashkisë së tropojës, Besnik Dushaj, mbështet protestën e banorëve për heqjen e taksës në Rrugën e Kombit, dhe kërkon lirimin e të arrestuarve. Ai thotë se banorët e qarkut të Kukësit janë më të varfrit në Shqipëri, dhe sipas tij tarifat e larta të vendosura nga Qeveria janë të papërballueshme. Dushaj shprehet se në këto zona është rritur varfëria vitet e fundit, ndërsa shton se kanë munguar investimet e qeverisë.
“Qarku i Kukësit, ku përfshihen bashkitë e Kukësit, Hasit dhe Tropojës është qarku më i varfër në Shqipëri dhe taksa e rrugës së Kombit rëndon të gjithë qytetarët por në mënyrë të veçantë banorët e këtij qarku, dhe sigurisht edhe banorët e Bashkisë së Tropojës. Duke parë rritjen e varfërisë, rritjen e taksave të tjera që ka bërë kjo qeveri, do të ishte me vend rritja e investimeve në këto zona dhe jo vendosja e një barre siç është taksa në rrugën e Kombit. E them me bindje që kjo taksë është e papërballueshme për banorët në këto zona. Kjo taksë do të rrisë biletën e transportit, do të rrisë çmimin e ushqimeve dhe mallrave që i marrin nga Tirana dhe rrethe të tjera”, shprehet ai.

Kryebashkiaku i Tropojës thotë se kjo protestë nuk është politike. “Ne e mbështesim protestën e banorëve. Kjo nuk është protestë politike, por është protestë që kërkon t’i tregojë qeverisë se i gjithë ky qark janë shumë të varfër. Ka shumë të papunë, ka shumë familje në mjerim dhe ka nevojë urgjende për investimeve, të punësohen njerëzit e të rritet numri i turistëve. Kësaj nuk i shërben taksa.
Kam komunikuar vazhdimisht me përfaqësues të qeverisë dhe u kam kërkuar që taksa të hiqet për banorët e këtij qarku dhe ajo duhet të jetë 0 për këta banorë. Kërkoj që edhe ata 23 të arrestuar të lirohen menjëherë sepse protestuan me dinjitet, protestuan për përmirësimin e jetës së tyre dhe nuk protestuan për asnjë arsye politike. Varfëria i ka pllakosur. Ne do të mbështesim protestat e banorëve tanë por edhe të gjithë protestat që bëhen kundër varfërisë dhe rritjes së taksave. Do të mbështesim protestën për heqjen e taksës në rrugën e Kombit”, thotë Dushaj.