Djegia e magazinës me hidrosanitare ende nuk janë zbuluar shkaqet

Vatrat e zjarrit riaktivizohen herë pas herë në magazinën, e cila u dogj plotësisht në rrugën, “Siri Kodra”. Rreth 30 automjete zjarrfikëse luftuan me flakët nga mesdita e së hënës, ndërsa magazina me materiale hidrosanitare u shkrumbua totalisht.
Flakët dukeshin nga disa kilometra larg kryeqytetit, pasi materiali ishte lehtësisht i djegshëm, duke krijuar panik tek banorët që ndodheshin shumë pranë me ndërtesën në flakë.
Bujar Kacana, efektiv i zjarrfikësve të kryeqytetit tregon luftën me flakët dhe ndihmën që i dhanë edhe kolegët e Fushë-Krujës, Durrësit si edhe ata të ushtrisë.
Për të përcaktuar shkaqet e rënies së flakëve, Kacana thekson se do të duhet ende kohë.
Fatmirësisht nga zjarri nuk ka pasur njerëz të lënduar, por u raportua se kërkuan ndihmën e parë disa efektivë zjarrfikës, pasi mbetën të asfiksuar nga flakët.

Dëmi është i konsiderushmëm, pasi nga magazina e cila tregtonte pajisje hidrosanitare dhe elektrike nuk ka mbetur asgjë, ndërsa fatmirësisht kanë shpëtuar banesat dhe objektet pranë saj.
Shefi i zjarrfikësve të kryeqytetit, Luan Shehu tha se, operacioni ka qenë i vështirë edhe për shkak të kushteve ku ndodhej objekti, pasi në zonën për rreth nuk ka burime hidrike.
“Ne punuam në kushte tepër të vështira, në një errësirë të plotë se hoqëm dhe mundësinë e pasjes së elektricitetit, pra u fikën me anë të KESH-it. Pastaj puna vështirësohet natën. Megjithatë, arritëm ta lokalizojmë brenda tre orëve dhe ta ndalojmë këtë incident dhe ta presim zjarrin që të mos na jepte premisa për të vazhduar tek shtëpitë”, tha ai.
Nuk është përcaktuar ende shkaku i zjarrit, por mësohet se flaka ka ardhur nga brenda magazinës, ku fatmirësisht nuk kishte punonjës. Vatra e zjarrit për neve ka qenë në qendër të magazinës dhe zjarri u shfaq menjëherë fuqishëm në brendësi të magazinës.