Zyrtarisht i çmendur

Dr Fatmir Terziu

Eseisti britanik Gilbert Keith Chesterton thotë: “Është e vështirë të zgjidhet dhe të provohet; prandaj është e vështirë të shërohet”.
Nuk do ta besoja këtë. As që do ta kisha shkuar ndër mend. Jo më të gjeja, se kjo tashmë nuk i heq vetes asnjë dyshim logjik, kur sheh veprimin e fundit të kryeministrit të Shqipërisë për të taksuar “Rrugën e Kombit”. Jo se në këtë pikë të gjithë janë të një mendimi. Jo. Në fakt kur flitet për taksë, nënkuptohet qartë përqindja që shkon e lartë tek e drejta e përfshirë në një mijë e një akte që e mbrojnë atë, pra taksimin. Bëhet fjalë për taksën me të cilën shteti në kapitalizëm mbahet në këmbë. Deri këtu e në tërë mbrojtjen e taksës, jam dhe e mbështes plotësisht. Por, kur taksa kthehet në një harbutëri, natyrisht ka vend për t’u ndalur.
Kur bëhet fjalë për një rrugë të munguar në shekuj, për një rrugë që lidh dy anët e një Kombi të abandonuar nga natyra, politika, dhe mjaft gjëra të tjera nga historia, kur bëhet fjalë për “Rrugën e Kombit”, natyrisht fjala të shpie diku më tej. Mendimi të ndal. Mendimi kërkon zgjidhje të menduar mirë… (fundja ka zgjidhje më të pjekura). Rastet janë plot! Por natyrisht mungon gjykimi. Dhe mes tij fikson se diçka e pazakontë po ndodh. Kjo e pazakontë nuk ka emër tjetër: ajo është vetë-hipnotizëm, që bëhet proces i gabimit të mos-dëgjimit të popullit, të mos-dëgjimit të Njeriut. Ky vetë-hipnotizëm, ka efekt të ndjeshëm, proces të ngadaltë dhe të tmerrshëm.

Ky efekt i gabimit është një proces që mund të ndodhë jo vetëm me individët, por edhe me shoqëritë e tëra. Eseisti britanik Gilbert Keith Chesterton thotë se pastaj “Është e vështirë të zgjidhet dhe të provohet; prandaj është e vështirë të shërohet”. Por kjo që po ndodh sot me “Rrugën e Kombit” si degjenerim mendor, mund të sillet në një provë, të cilën me të vërtetë besoj se është provë e vërtetë. Një shtet do të çmendet kur ka gjëra të tepruara, për aq kohë sa i bën ato në një frymë ekstravagante. Kryqtarët nuk i prenë mjekrat e tyre derisa gjetën Jerusalemin. Jakobinët e quanin veten Harmodius dhe Epaminondas, ndërsa emrat e tyre ishin Jacques dhe Jules. Këto ishin vetëm gjëra të egra, por ato edhe u bënë me shpirtra të egër, në një moment të egër. Ndaj sa herë që shohim gjëra të bëra egërsisht dhe në mënyrë harbute, të egër, të vetë-hipnotizuar, pa i marrë qetësisht, atëherë shteti vetëkuptohet po rritet i çmendur, thotëChesterton.
Chesterton këtë e quan çmenduri. Çmenduri zyrtare. Pra, dikush është zyrtarisht i çmendur?! Eseisti britanik na vjen në ndihmë të kuptojmë sot e përgjithmonë më mirë se sa kurrë, atë që është tashmë “zyrtarisht i çmendur”. Ai e ka thënë qartë se “destinacioni i të bërit i çmendur është biznesi më i ngadalshëm dhe më i dendur në botë”. Ndaj procesi i çmendurisë, sipas Chesterton “është i shurdhër, për arsyen e thjeshtë se një njeri nuk e di se po ndodh çmenduria e tij”. A thua nuk e di këtë Kryeministri? Vërtet procesi i tij është i shurdhër? Por duke shkuar tek leximi i Chesterton kuptojmë saktë se “nëse një herë njeriu mund të bëhej i vetëdijshëm për çmendurinë e tij, ai do të pushonte së qeni njeri”.