Ballina Politikë Policia arreston edhe studiuesen amerikane pse tentoi të ndihmonte qytetarët në protestë

Policia arreston edhe studiuesen amerikane pse tentoi të ndihmonte qytetarët në protestë

Studiuesja dhe pedagogia amerikane Lory Amy e cila ndodhet prej disa kohësh në Tiranë për një studim në lidhje me krimet e komunizmit, është ndaluar sot nga policia e kryeqytetit në zonën e Myslym Shyrit dhe ndodhet në ambjentet e Komisariatit Nr.3.
Në videon që na dërgojnë persona shoqërues me zonjën Amy, shihet se stafi i policisë u kërkon atyre ta heqin celularin me të cilin filmojnë.
Sipas vetë rrëfimit të zonjës Amy, teksa ajo kalonte pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, ka vërejtur që në rrugën e bllokuar nga njerëzit që protestojnë për lirimin e banorëve të Kukësit, policia lejonte hyrjen e makinave deri në një pikë të caktuar dhe më pas i detyronte ato të ktheheshin pas, duke krijuar një rreth të mbyllur lëvizjeje, që krijonte kaos në trafik.
Lory Amy është afruar tek policët duke u kërkuar që t’i orientonin makinat që në hyrje të rrugës e të mos i lejonin të hyjnë në zonën e protestës, por ata kanë refuzuar.
Atëherë studiuesja amerikane ka dalë në rrugë dhe ka menduar të kryejë një detyrë qytetare, duke u thënë shoferëve ta shmangin zonën e bllokuar.
Në këtë moment, efektivët e policisë i janë afruar dhe e kanë ndaluar pa i dhënë një motiv për arsyet e këtij shoqërimi në komisariat.
Studiuesja është ndaluar pak minuta ma parë, teksa është gjendur përpara drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku familjarët e të arrestuarve në protestën e Kukësit janë mbledhur për të kërkuar lirimin e tyre.

Exit mobile version