Kryemadhi: Revolta, fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka reaguar lidhur me protestën e qytetarëve në rrugën e Kombit. Kryemadhi përmes një komenti në rrjetin social shkruan se qytetarët e Kukësit dëshmuan qartas se fatet e një kombi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e lojërave perverse të një kryeministri të papërgjegjshëm.
“Ata që kanë humbur besimin te drejtimi i qeverisë, tek ekonomia që po shkatërrohet sepse Edi Rama do të kënaqë orekset e oligarkëve, sot janë shumica dhe me të fortë se kurrë.
Revolta e tyre në Kukës është shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen, që po rrënon çdo ditë familjet shqiptare dhe që ndoshta sot mund të kuptojë që revolta ka qenë dhe mbetet fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit”, shprehet Kryemadhi.