“Taksa Rama’/ I gjithë Kukësi nesër në tunel, çfarë pritet të ndodhë pas bllokimit të “Rrugës së Kombit”

Banorët Kukësit do të organizojnë të shtunën në orën 11:00 një protestë në tunelin e Kalimashit kundër taksës së vendiosur nga qeveria në “Rrugën e Kombit”.
Në një ndër qarqet më të varfra në shkallë vendi, shuma prej 5 eurosh që duhet të paguajnë sa herë shkojnë në Tiranë, Lezhë, Shkodër apo qoftë për të kaluar tunelin e Thirrës është tepër e shtrenjtë. “Do të marrim pjesë në protestë, pasi kjo gjë është shumë e padrejtë prej nesh”, shprehet një qytetar.
“Kjo është tepër e rëndë për zonën tonë. Ne e paguajmë njëherë taksën e rrugës te nafta”, thotë një tjetër qytetar. Mbi 6 mijë familje trajtohen me ndihmë ekonomike në bashkinë Kukës, vlera maksimale e së cilës është 4 500 lekë, ndërsa 4 700 persona janë të papunë.
Qytetarët do të protestojnë pikërisht në vendin ku është ngritur trau që ndan jo vetëm Shqipërinë me Kosovën, por edhe Veriun me pjesën tjetër të vendit. Organizimii protestës është inicuar nërrjetet sociale dhe solidarizimi ka vazhduar përgjatë dy ditëve të fundit në të dy anët e kufirit. Këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Kukësit kanë kundërshtuar njëzëri taksën e “Rrugës së Kombit” dhe kanë i bërë apel qeverisë që të anulohet kjo tarifë.

Kryetar i Këshillit Bashkiak Kukës, Gjelbrim Shehu u shpreh se, anëtarët e të gjitha forcave politike do të zhvillojnë protesta paqësore deri në heqjen e taksës për kuksianët. Protesta do të mbahet të shtunën (31 mars) tek trau në “Rrugën e Kombit”.
Gjelbrim Shehu: “Sot u mbajt një mbledhje jashtë radhe nga Këshilli Bashkiak Kukës dhe u ra dakord unanimisht që të organizohet një protestë paqësore ditën e shtunë në orën 11:00 tek trau i vendosur në “Rrugën e Kombit” për shkak të vendosjes së taksës në funksion.
Dhe ne duke e trajtuar si një çështje shumë të ndjeshme për rajonin tonë e ndjejmë si obligim, si përfaqësues të komunitetit të Kukësit, që të mblidhemi të gjitha forcat politike pa dallim dhe të organizojmë një protestë shumë paqësore, duke vënë në dijeni qeverinë për një taksë të padrejtë si edhe t’i kërkojmë që të gjendet një zgjidhje për rajonin tonë”.
Edhe Këshilli Bashkiak i Hasit dhe i Tropojës kanë vendosur që të kërkojnë nga qeveria dhe Kuvendi anulimin e kësaj takse si edhe do të zhvillojnë protesta paqësore.